Shasivari takoi ambasadorin e ri të Turqisë, Alper Aktash- thellim i bashkëpunimit në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi një takim me ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë në Shkup, Alper Aktaş, ku u konfirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit institucional në fushën e drejtësisë.

Në takim u diskutua për prioritetet reformuese në sistemin gjyqësor, shkëmbimin e përvojave profesionale, organizimin e trajnimeve të specializuara dhe vizitave studimore, si dhe mundësitë për realizimin e projekteve të reja të përbashkëta.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe institucioneve turke, përfshirë mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ministri Shasivari rikujtoi edhe pjesëmarrjen e tij në Samitin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll dhe takimin bilateral me ministrin turk të Drejtësisë, Akın Gürlek, si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve institucionale.

Bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit përmes iniciativave konkrete, me synim ndërtimin e një sistemi gjyqësor më efikas dhe më modern, si dhe forcimin e sundimit të ligjit.