Saranda Imeri Stafai i reagon Bujar Osmanit: Ballkani i Hapur nuk kthehet më- as Ali Ahmeti e as Vuçiqi

Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj qëndrimeve të Bujar Osmanit për nismën “Open Ballkan”, duke e kritikuar atë për vazhdimin e promovimit të këtij projekti.

Sipas Stafait, Open Ballkani nuk ishte thjesht një projekt për lehtësimin e qarkullimit të mauneve, por një nismë politike që sipas saj, synonte izolimin e Kosovës dhe zgjerimin e ndikimit të Serbisë në rajon.

“Nuk kthehet më Open Ballkani o Bujar! Nuk kthehet sepse ra Aliu, ra edhe Vuçiqi e nuk do të kthehen më as ata”, ka deklaruar Stafai.

Ajo theksoi se prioriteti tashmë duhet të jetë forcimi i lidhjeve infrastrukturore dhe ekonomike me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në këtë drejtim, Stafai veçoi rëndësinë e Korridorit 8, ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, rrugën Tetovë–Prizren, si dhe funksionalizimin e sistemit One Stop Shop, që synon lehtësimin e kalimit të kufirit.

Sipas deputetes së VLEN-it e ardhmja e bashkëpunimit rajonal duhet të ndërtohet përmes lidhjeve konkrete me Kosovën dhe Shqipërinë, e jo përmes rikthimit të nismave të së kaluarës.