Rokas do t’ia dorëzojë Raportin e KE-së kryeministrit Mickoski

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, sot do t’ia dorëzojë kryeministrit Hristijan Mickoski, Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit.

Pas dorëzimit të Raportit, Mickoski dhe Rokas do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp në Qendrën Mediale të Qeverisë.

Në Raport, i cili është prezantuar dje në Bruksel, theksohet se vendi në mënyrë aktive kyçet në Planin e ri për rritjen për Ballkanin Perëndimor dhe i ka përforcuar përpjekjet për realizimin e katër shtyllave të tij: integrim gradual në tregun e vetëm të BE-së, integrimin rajonal ekonomik, reforma thelbësore dhe mbështetje e rritur financiare. Megjithatë, theksohet se është i domosdoshëm zbatimi i reformave kyçe të ndërlidhura me BE-në.

Komisioni Evropian konstaton se vendi e ka mbajtur harmonizimin e plotë me politikën e jashtme të përbashkët dhe të sigurisë së BE-së, duke përfshirë edhe në lidhje me agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, me çka ka dërguar sinjal të qartë për zgjerdhjen e tij strategjike për qasje drejt Unionit dhe është treguar si partner i besueshëm.

Në dokument theksohet se edhe Maqedonia e Veriut ka vazhduar të punojë në kompletimin e dokuementeve të nevojshme për plotësimin e kritereve për hapjen e klasterit 1 “Baza të procesit të aderimit”, por nuk kanë arritur progres në miratimin ndryshimeve relevante kushtetuese, të parashikuara me konkluzionet e Këshillit nga viti 2022.

Komisioni vëren se vendi ka vazhduar të zbatojë Marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe se Komiteti i stabilizim-asociimit u mblodh në prill 2026, hera e parë që nga viti 2021. Ai gjithashtu thekson se Maqedonia e Veriut ka ruajtur marrëdhënie të mira me vendet e tjera në zgjerim dhe ka vazhduar të marrë pjesë në nisma rajonale. Raporti gjithashtu thekson nevojën që marrëveshjet ekzistuese dypalëshe me fqinjët të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.

Sa i përket sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, Raporti vëren një nivel mesatar të përgatitjes dhe progres të kufizuar. Ai thekson veçanërisht se vendi nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, i cili mbetet i përhapur dhe një çështje shqetësuese serioze. Ai gjithashtu tregon vonesat në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, të cilat shpesh parashkruhen, duke kontribuar në perceptimin e pandëshkueshmërisë.

Duke prezantuar Paketën e zgjerimit 2026 në Bruksel, komisarja e BE-së për Zgjerimin, Marta Koss, vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka përmirësuar gatishmërinë e saj për anëtarësim në BE dhe është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit me acquis evropiane. Ajo theksoi se vendi ka përshpejtuar reformat sipas Planit të rritjes, por pritet përparim i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe reformën e administratës publike.

Kos theksoi se për të zhbllokuar negociatat e pranimit dhe për të hapur klasterin e parë “Baza”, Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese të dakordësuara në vitin 2022, të cilat parashikojnë përfshirjen e pakicave në Kushtetutë.