Shpenzimet për fushatën kanë arritur të paktën në 11.6 miliardë dollarë. Kjo është fushata zgjedhore më e kushtueshme në historinë e SHBA-ve, duke tejkaluar edhe zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë, të cilat deri tani mbanin rekordin
Amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e mesmandatit, në një garë ku një nga shqetësimet kryesore është rritja e kostos së jetesës. Por përtej debatit mbi ekonominë dhe vështirësitë financiare të qytetarëve, këto zgjedhje po shënojnë edhe një rekord historik për paratë e shpenzuara në fushatë.
Sipas të dhënave ende paraprake të Komisionit Federal të Zgjedhjeve dhe qendrave të monitorimit si AdImpact, shpenzimet për fushatën kanë arritur të paktën në 11.6 miliardë dollarë. Kjo është fushata zgjedhore më e kushtueshme në historinë e SHBA-ve, duke tejkaluar edhe zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë, të cilat deri tani mbanin rekordin. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, në shumë vende evropiane shpenzimet për fushatat zgjedhore janë të kufizuara me ligj. Në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2022, ku Emmanuel Macron u rizgjodh president, shpenzimet totale, të llogaritura në dollarë, arritën në vetëm 90 milionë. Edhe zgjedhjet parlamentare në Britani kushtuan pak më shumë.
Në SHBA ekzistojnë kufizime për shumën që kandidatët mund të marrin drejtpërdrejt nga një donator i vetëm. Megjithatë, sistemi i financimit të fushatave ndryshoi ndjeshëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 2010, të njohur si “Citizens United”. Me këtë vendim, u lejua financimi pa kufi i fushatave politike nga individë, kompani dhe organizata, përmes strukturave të pavarura që nuk koordinohen zyrtarisht me kandidatët.
Gjykata e argumentoi vendimin me të drejtën e lirisë së shprehjes, të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane. Që prej asaj kohe, financimi i politikës nga njerëzit me pasuri të mëdha është rritur ndjeshëm, duke u dhënë atyre një ndikim të konsiderueshëm në garat zgjedhore. Edhe këtë herë, në qendër të financimeve është miliarderi Elon Musk, i cili ka dhuruar të paktën 446 milionë dollarë për kandidatët republikanë të partisë së presidentit Donald Trump. Ky është kontributi më i madh financiar i dhënë ndonjëherë nga një individ në një fushatë zgjedhore dhe pothuajse dyfishi i shumës që Musk i dhuroi Trumpit gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Në kategorinë e financimeve të drejtpërdrejta për kandidatët, në krye renditen edhe disa figura të Partisë Demokratike. Disa prej tyre synojnë të fitojnë vende në Senat dhe të ndryshojnë raportet e forcave në këtë dhomë të Kongresit, ndërsa demokratët e shohin si më të arritshëm rikthimin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në krye të listës është James Talarico, i cili ka mbledhur afro 150 milionë dollarë. Ai kandidon në Teksas kundër Ken Paxton, kandidatit të mbështetur nga Trump. Sipas sondazheve, Talarico ka mundësi të sfidojë kandidatin republikan në këtë shtet tradicionalisht republikan. Pas tij renditen senatori demokrat Jon Ossoff, nga Xhorxhia, dhe Sherrod Brown, i cili në Ohajo synon të rimarrë vendin në Senat që demokratët e humbën dy vite më parë. Në listë përfshihet edhe Abdul El-Sayed, kandidati me qëndrime të majta që synon një vend në Senat në Miçigan. Ai pranon financime vetëm nga qytetarët dhe ka refuzuar kontributet nga kompanitë dhe organizatat. Deri tani ka mbledhur 53 milionë dollarë, një shumë që mbetet e vogël krahasuar me miliardat e derdhura në të ashtuquajturat “SuperPAC”, organizata që financojnë fushatat politike në mënyrë të pavarur nga kandidatët.
Pjesën më të madhe të financimeve po e sigurojnë miliarderët, të cilët po mbështesin kandidatët që ndodhen në vështirësi. Përveç reklamave në favor të kandidatëve të tyre, këto organizata financojnë edhe fushata kundër rivalëve politikë, përmes reklamave televizive me përmbajtje negative.
Vetëm në javët e fundit, donatorët shumë të pasur kanë shpenzuar të paktën 2.7 miliardë dollarë, ku pjesa më e madhe ka shkuar për kandidatët konservatorë. Republikanët kanë përfituar mbi 1.7 miliardë dollarë, ndërsa demokratët rreth 832 milionë dollarë. Tre nga katër donatorët më të mëdhenj, të cilët kanë investuar më shumë se 100 milionë dollarë secili, mbështesin republikanët. Përveç Elon Musk, në listë është edhe familja Uihlein, pronare e një kompanie transporti në Wisconsin, e cila ka dhuruar 150 milionë dollarë, si dhe financieri nga Pensilvania, Jeff Yass, me 110 milionë dollarë.
Në kampin demokrat, donatori më i madh është George Soros, me 102 milionë dollarë, i ndjekur nga Michael Bloomberg, me 84 milionë dollarë. Ndërkohë, Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn dhe një nga të paktët miliarderë të teknologjisë që mbështet demokratët, ka dhuruar 41 milionë dollarë. Prej kësaj shume, 18 milionë dollarë kanë shkuar për James Talarico në Teksas. Në garën për këtë vend në Senat, Elon Musk ka ndërhyrë me një financim prej 168 milionë dollarësh për rivalin e tij republikan, Ken Paxton. Analistët vlerësojnë se shumat e mëdha të parave kanë ndikuar në rezultatin e shumë garave zgjedhore në të kaluarën. Megjithatë, ata paralajmërojnë se një nivel kaq i lartë financimi mund të ketë edhe efekt të kundërt, duke shkaktuar reagim negativ te votuesit.


