Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing), të organizuar në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman, Friedrich Merz.
Takimi, i mbajtur në Kancelarinë Federale Gjermane, ka mbledhur liderë dhe përfaqësues të vendeve partnere për të diskutuar për luftën në Ukrainë, përpjekjet diplomatike për paqe dhe sigurinë evropiane.
Pas pjesëmarrjes në këtë takim, Rama ka theksuar rëndësinë që Europa të ketë një grup përfaqësuesish që mund të flasë në emër të saj në një komunikim të mundshëm me Rusinë.
“Është një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, ka deklaruar Rama.
Ai e ka cilësuar si gabim strategjik faktin që Europa nuk e ka pasur një përfaqësim të tillë që nga fillimi i luftës, duke shprehur shpresën se përpjekjet diplomatike tashmë do të vazhdojnë.
“Ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim. Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Ndërkaq, i pyetur se çfarë ndjenje ka kur sheh presidentët Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, Rama u përgjigj shkurt: “Përse duhet të kem ndjenja?”


