Një anketë me 15 049 të rritur tregon se shumica e njerëzve i kujtojnë përqafimet për ngushëllimin dhe mbështetjen që u kanë dhënë. Empatia, modelet e lidhjes emocionale dhe zakonet e përqafimit luajnë gjithashtu një rol.
Ne priremi ta konsiderojmë përqafimin si një burim universal ngrohtësie, megjithatë, pothuajse tre në dhjetë të rritur të përfshirë në një anketë të gjerë nuk arritën të kujtonin një përqafim që u kishte lënë një mbresë pozitive.
Kur një përqafim mbetej në kujtesën e dikujt, kjo ndodhte shumë më shpesh për shkak të ngushëllimit, mbështetjes ose mirëkuptimit sesa për arsye romantike.
Nëse dikush arrinte të kujtonte një përqafim apo jo, varej nga disa tipare kryesore. Tri më të rëndësishmet ishin niveli i empatisë, mënyra se si personi e përjetonte afërsinë emocionale dhe nëse zakonisht i përqafonte miqtë kur i takonte.
Anna Lena Dueren, nga Shkolla e Shkencave Psikologjike në Universitetin e Bristolit, drejtoi analizën e të dhënave të 15 049 të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar. Përgjigjet e tyre u morën nga anketa kombëtare mbi prekjen, e quajtur “Touch Test”, e cila u promovua nga BBC Radio 4 në fillim të vitit 2020.
Studimi paraqet një pasqyrë të asaj se kush kujton çfarë. Ai mund të tregojë se cilat tipare lidhen me kujtimin e një përqafimi, por jo se çfarë e shkakton atë.
Në një intervistë për Earth.com, Dueren e shpjegoi thjesht përfundimin kryesor të studimit.
“Shumica e pjesëmarrësve i kujtonin përqafimet sepse ato përcillnin ngushëllim, mirëkuptim ose mbështetje”, tha ajo.
Sipas saj, bëhet fjalë për studimin e parë të madh që u kërkon njerëzve të shpjegojnë pse një përqafim ka mbetur në kujtesën e tyre.
Përqafimet që ofrojnë ngushëllim janë më të rëndësishme se ato romantike
Pyetja ishte e drejtpërdrejtë: A ekziston një përqafim që e mbani mend për shkak të ndikimit të tij pozitiv emocional tek ju?
Nga 15 046 personat që iu përgjigjën kësaj pyetjeje, 10 457 thanë po, ose 69,5 për qind.
Personat që u përgjigjën pozitivisht duhej të zgjidhnin një arsye të vetme, më të përshtatshme, nga një listë e shkurtër. Ndër 9 703 personat që zgjodhën një nga arsyet e listuara, rreth një e treta përzgjodhën ngushëllimin, 29 për qind thanë se përqafimi u kishte përcjellë mirëkuptim, ndërsa 20 për qind përmendën mbështetjen.
Ngushëllimi, mirëkuptimi dhe mbështetja përbëjnë së bashku më shumë se katër të pestat e përqafimeve që njerëzit kanë ruajtur në kujtesë. Vetëm 147 persona, ose 1,5 për qind e grupit, thanë se përqafimi ishte i paharrueshëm për shkak të ngacmimit fizik seksual.
Studimet e mëparshme i kishin lidhur përqafimet e përditshme me uljen e stresit dhe përmirësimin e humorit, ndërsa këto përgjigje janë në përputhje me këto rezultate.
Arsyet ndryshonin sipas gjinisë
Burrat dhe gratë kishin pothuajse të njëjtën mundësi për të kujtuar një përqafim. Megjithatë, arsyet që jepnin ndryshonin pak, por në mënyrë të qëndrueshme.
Mes burrave, 3,9 për qind përzgjodhën ngacmimin seksual si arsye, krahasuar me 0,8 për qind të grave. Burrat kishin gjithashtu më shumë gjasa të përzgjidhnin miqësinë, me 12,3 për qind, krahasuar me 4,8 për qind të grave.
Gratë përzgjidhnin më shpesh ngushëllimin, me 34,6 për qind, kundrejt 25,3 për qind të burrave. Ato përzgjidhnin më shpesh edhe mirëkuptimin. Ekipi sugjeroi se aspekti përkujdesës i një përqafimi mund të ketë më shumë rëndësi për gratë.
Studiuesit e ekipit të Dueren vunë në dukje se vetëm 2 197 burra dhanë një arsye, kundrejt 7 506 grave. Për këtë arsye, ata këshillojnë që ndryshimet gjinore të interpretohen me kujdes.
Kush e kujton një përqafim?
Ekipi i Dueren, ku bëjnë pjesë edhe studiues nga University College London (UCL), Universiteti i Sussex-it dhe Universiteti i Greenwich-it, shqyrtoi më pas se cilat tipare lidheshin me ruajtjen në kujtesë të një përvoje emocionale të përqafimit.
Lidhja më e fortë u vu re te një zakon: njerëzit që i përshëndesin gjithmonë miqtë dhe familjarët me një përqafim kishin më shumë gjasa të kujtonin një të tillë.
E kundërta ndodhte me personat që nuk e pëlqenin ndjesinë e të qenit të përqafuar. E njëjta gjë vlente edhe për ata që e kishin të vështirë të kuptonin se sa fort duhej ta përqafonin dikë.
E pyetur nga Earth.com se çfarë mund të mësonin nga ky studim personat që nuk i pëlqejnë përqafimet, Dueren vuri në dukje madhësinë e ndryshimit.
“Në studimin tonë, njerëzit që nuk e pëlqenin ndjesinë e të qenit të përqafuar kishin pak më pak gjasa të kujtonin një përqafim që kishte pasur një ndikim pozitiv emocional tek ata, krahasuar me personat që nuk e kishin këtë mospëlqim”, tha ajo.
“Gjetjet nxjerrin në pah faktin se përvojat e përqafimit nuk mbahen mend në të njëjtën mënyrë nga të gjithë njerëzit.”
Edhe empatia kishte rëndësi, pavarësisht nëse matej përmes aftësisë për të kuptuar ndjenjat e të tjerëve apo përmes aftësisë për t’i përjetuar ato së bashku me dikë. Nivelet më të larta të empatisë lidheshin me një mundësi më të madhe për të kujtuar një përqafim.
E njëjta gjë vlente edhe për stilin e lidhjes emocionale, pra mënyrën se si një person lidhet me njerëzit më të afërt me të. Lidhja e pasigurt emocionale shfaqet në dy forma.
Personat që përjetojnë shqetësim kur ndahen nga të tjerët, pra ata me stil ankthioz të lidhjes, kishin më shumë gjasa ta ruanin një përqafim në kujtesë. Ndërsa personat që vlerësojnë pavarësinë në marrëdhënie, pra ata me stil shmangës të lidhjes, kishin më pak gjasa ta bënin këtë.
Të gjitha këto ndikime ishin të vogla dhe, së bashku, këto tipare shpjegonin vetëm 10 deri në 14 për qind të ndryshimeve mes njerëzve për sa i përket kujtimit të një përqafimi.
Ndërgjegjësimi për trupin luajti gjithashtu një rol
Ekipi i Dueren priste që njerëzit më pak të kënaqur me trupin e tyre të kishin më shumë gjasa të kujtonin një përqafim për ngushëllimin ose mbështetjen që u kishte dhënë. Por kjo pritshmëri nuk u vërtetua.
Kënaqësia e një personi me trupin e vet nuk ndikonte as nëse ai kujtonte një përqafim dhe as në arsyen pse e kujtonte atë. Megjithatë, ekzistonte një tregues tjetër që kishte ndikim.
Ekipi krijoi një shkallë matëse me pesë elemente për të vlerësuar se sa shumë ndikohet perceptimi i një personi për trupin e tij nga prekja. Një prej pyetjeve ishte nëse personi i zgjedh rrobat, të paktën pjesërisht, duke u bazuar në mënyrën se si pëlhura ndihet mbi lëkurë.
Personat që shënonin rezultate më të larta në këtë shkallë kishin më shumë gjasa të kujtonin një përqafim, si dhe ta kujtonin atë për shkak të mirëkuptimit ose ngacmimit seksual, në vend të ngushëllimit. Kjo shkallë matëse është e re dhe ekipi i konsideroi këto rezultate paraprake.
Fakti që një person ishte përqafuar dhe puthur para gjumit gjatë fëmijërisë nuk kishte asnjë ndikim nëse ai kujtonte një përqafim. Po kështu, as shpeshtësia me të cilën personi përqafohej në jetën e përditshme nuk kishte ndikim.
Përqafimet, kujtimet dhe studimet e mëtejshme
Personat që iu përgjigjën anketës kishin zgjedhur vetë të merrnin pjesë dhe nuk ishin paguar për këtë, ndaj mund të kenë pasur më shumë interes për prekjen sesa njerëzit mesatarisht. Tre të katërtat e pjesëmarrësve ishin gra dhe të gjithë jetonin në Mbretërinë e Bashkuar, ku qëndrimet ndaj kontaktit fizik ndryshojnë nga ato në vende të tjera.
Anketa nuk pyeti se kush ua kishte dhënë përqafimin e kujtuar pjesëmarrësve apo ku kishte ndodhur ai. Për këtë arsye, nuk mund të përcaktohet nëse ngushëllimi i marrë nga një partner kujtohet ndryshe nga ngushëllimi i dhënë nga një mik.
Përgjigjet u mblodhën nga janari deri në mars të vitit 2020 dhe më pak se 1 për qind e tyre mbërritën pas fillimit të izolimit të parë në Mbretërinë e Bashkuar. Prandaj, ky studim pasqyron mënyrën se si njerëzit përqafoheshin përpara se pandemia ta ndryshonte këtë sjellje.
Dueren i tha Earth.com se dëshiron të studiojë më tej arsyet pse i njëjti përqafim mund të përjetohet në mënyra kaq të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.
“I njëjti lloj prekjeje mund të jetë i këndshëm për një person dhe i pakëndshëm për një tjetër”, tha ajo. “Do të doja të kuptoja më mirë faktorët që ndikojnë në këto ndryshime në përjetimin e prekjes.”
Njerëzit empatikë mund të ruajnë më shumë përqafime në kujtesën e tyre, ose përqafimet e paharrueshme mund t’i bëjnë njerëzit më empatikë. Kjo anketë nuk mund të përcaktojë se cila prej këtyre mundësive është e vërtetë.
Për ta përcaktuar këtë, do të nevojitej një studim që do të ndiqte të njëjtët njerëz për disa vite me radhë, por një studim i tillë ende nuk është realizuar./Earth.com


