Diskutimet për ligjin e ri për provimin e Jurisprudencës tashmë kanë nisur të zhvillohen, por ende mbetet e paqartë se si do të zbatohet zgjidhja e propozuar: a do të mund të jepet provimi në gjuhën shqipe, vetëm në maqedonisht, apo do të ketë një kombinim të të dyja gjuhëve?
Lidhur me këtë çështje dhe deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se provimi do të zhvillohet sipas ligjit dhe se disa pjesë do të jepen në shqip e disa në maqedonisht, për TS ka folur iniciuesi i protestave për provimin e Jurisprudencës, Mevlan Ademi.
Ademi thotë se kryeministri disa herë i ka ndryshuar deklaratat dhe se qasja e tij ndaj kësaj çështjeje i ngjan më shumë një cirku politik sesa një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve.
“Këto lojëra janë më shumë si cirk sesa i ngjajnë një vendi që synon Bashkimin Evropian dhe respektimin e komuniteteve në vendin tonë”, u shpreh Ademi.
Ai theksoi se Mickoski më herët ka mbajtur qëndrimin për barazimin e gjuhës shqipe me gjuhët e pakicave të tjera, duke përdorur, sipas tij, një retorikë nacionaliste për të përfituar pikë politike.
Sipas Ademit, nëse provimi nuk mundësohet në gjuhën shqipe, presioni nga studentët e të gjitha universiteteve do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ai theksoi se kërkesa nuk lidhet vetëm me provimin e Jurisprudencës, por me mundësinë që të gjitha provimet të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.
Ademi e konsideron projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë si një avancim, por njëkohësisht si humbje për politikën shqiptare, pasi, sipas tij, në vend që të kërkohet zbatimi i Ligjit Kushtetues, po tentohet të miratohet një zgjidhje që mund të jetë më e dëmshme sesa përfituese.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë thotë se për herë të parë po propozon një zgjidhje ligjore që u mundëson studentëve ta japin pjesën teorike të provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
“Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka mbetur e pazgjidhur për dekada, pavarësisht se në të kaluarën me Ministrinë e Drejtësisë kanë udhëhequr tetë ministra shqiptarë. Konsiderojmë se kjo temë nuk duhet të përdoret për përplasje politike, por të trajtohet përmes zgjidhjeve konkrete.
Për herë të parë po propozojmë një zgjidhje ligjore që u mundëson studentëve ta japin pjesën teorike të provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Propozimi ligjor pritet të kalojë në Qeveri para shqyrtimit nga Komisioni i Venecias, ndërsa procesi i konsultimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Sa u përket kërkesave të studentëve, Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog dhe nuk e konsideron zgjidhjen e propozuar si përfundimtare. Studentët do të përfshihen në diskutimet me raportuesit e Komisionit të Venecias, ndërsa në fazën e mëtejshme parashikohet edhe debat publik në Kuvend”, thonë për portalin TS nga Ministria e Drejtësisë.
Deri në marrjen e vlerësimit nga Komisioni i Venecias, mbetet e paqartë se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare: a do të mund të jepet provimi i Jurisprudencës plotësisht në gjuhën shqipe, a do të ndahet mes shqipes dhe maqedonishtes, apo propozimi do të dështojë, ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë nisma të tjera ligjore.


