Projekti hekurudhor Durrës-Prishtinë, Rama: Shqipëria dhe Kosova mirëprisnin përfshirjen e Japonisë

Kryeministri Edi Rama këtë të martë ka zhvilluar një takim në Kryeministri me përfaqësues të sipërmarrjes japoneze. Rama në pamje që ka ndarë në “Facebook” ka zbuluar edhe detaje nga diskutimet teksa thekson se Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.

Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.

Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj.

Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, njoftoi Rama.