Prodhuesi turk i dronëve Baykar ka bërë të ditur se ka dorëzuar tre avionët e parë luftarakë pa pilot Bayraktar Kizilelma te forcat e sigurisë së Turqisë, gati katër vjet pas fluturimit të parë të avionit, transmeton Anadolu.
Baykar në platformën turke të mediave sociale NSosyal tha se Kizilelma është bërë avioni i parë luftarak pa pilot në botë që hyn në shërbim ushtarak.
“Sot, ne i dorëzojmë kombit tonë ëndrrën që nisëm ta realizonim 20 vjet më parë”, tha Baykar.
I zhvilluar me financimin e vetë kompanisë Baykar, Kizilelma është projektuar për luftime ajër-ajër dhe sulme ndaj objektivave tokësorë. Kompania po e zhvillon avionin gjithashtu për të operuar nga anijet me kuvertë të shkurtër fluturimi.
Avioni ka një gjatësi prej 14,5 metrash, hapësirë krahësh prej 10 metrash dhe peshë maksimale në ngritje prej 8,5 tonësh metrikë.
Sipas Baykar, ai mund të arrijë shpejtësinë maksimale prej Mach 0,9 ose 90 për qind të shpejtësisë së zërit dhe të qëndrojë në ajër për më shumë se tre orë.
Nga fluturimi i parë deri te formacioni autonom
Baykar prezantoi projektin në vitin 2021 dhe vitin pasues shfaqi prototipin në festivalin e hapësirës ajrore dhe teknologjisë TEKNOFEST, në qytetin Samsun, në veri të Turqisë.
Avioni realizoi fluturimin e tij të parë më 14 dhjetor të vitit 2022, duke fluturuar për 18 minuta në qendrën e testimit të Baykar në Corlu, në veriperëndim të Turqisë.
Në prill të vitit 2023, Kizilelma fluturoi në formacion të ngushtë me dronin Akinci të Baykar gjatë testimeve në Corlu. Dy avionët më vonë përsëritën fluturimin në formacion para spektatorëve në festivalin TEKNOFEST në Stamboll.
Më 29 nëntor të vitit 2025, sipas kompanisë Baykar, një Kizilelma goditi një objektiv ajror me motor reaktiv me një raketë ajër-ajër Gokdogan, të prodhuar në Turqi, gjatë një testimi në brigjet e Detit të Zi, pranë Sinopit.
Muajin pasues, dy prototipa të Kizilelma fluturuan në mënyrë autonome në formacion të ngushtë mbi Corlu.
Baykar tha se avionët përdorën softuer të zhvilluar nga inxhinierët e kompanisë për të koordinuar lëvizjet e tyre dhe për të kryer patrullim ajror përgjatë një rruge të paracaktuar.
Në njoftimin e sotëm, Baykar falënderoi ekipin që qëndron pas zhvillimit të avionit dhe nderoi kolegët që humbën jetën gjatë këtij procesi.
Kompania gjithashtu nderoi themeluesin e saj të ndjerë, Ozdemir Bayraktar, për kontributin e tij në Nismën Kombëtare të Teknologjisë së Turqisë.


