Franca ka shprehur shqetësimin se përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi në një konflikt të mundshëm me Rusinë mund të shkaktojë një përshkallëzim deri në nivelin bërthamor. Për këtë arsye, Parisi i ka kërkuar Berlinit të qartësojë strategjinë e tij për zhvillimin dhe përdorimin e këtyre armëve.
Sipas një raportimi të Financial Times, shqetësimi francez lidhet me mundësinë që Moska të keqinterpretojë përdorimin e raketave nga aleatët evropianë, duke e konsideruar atë si nisjen e një ofensive më të gjerë ushtarake kundër territorit rus.
Alarmi i Parisit vjen në një kohë kur Gjermania po përshpejton investimet për forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake, përmes krijimit të një arsenali të ri raketash që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit të Rusisë.
1-Gjermania planifikon të investojë 12 miliardë euro në raketa
Berlini ka parashikuar investimin e rreth 12 miliardë eurove në zhvillimin dhe blerjen e sistemeve të reja të armëve me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të forcuar aftësitë parandaluese ndaj Rusisë.
Programi përfshin raketa lundrimi me kosto të ulët, raketat amerikane Tomahawk dhe sisteme të avancuara të zhvilluara në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë kuadër, Gjermania planifikon të shpenzojë rreth 3.4 miliardë euro për blerjen e raketave amerikane Tomahawk dhe sistemeve të lëvizshme të lëshimit Typhon.
Tomahawk kanë një rreze veprimi të raportuar prej rreth 2,500 kilometrash, duke i dhënë ushtrisë gjermane mundësinë për të goditur objektiva në distanca të konsiderueshme.
Paralelisht, Berlini dhe Londra po zhvillojnë programin e përbashkët Deep Precision Strike, i cili synon krijimin e një sistemi raketor me rreze veprimi deri në 2,000 kilometra. Sistemi parashikohet të jetë funksional deri në vitin 2034 dhe të mundësojë goditjen e objektivave strategjike, përfshirë qendrat e logjistikës dhe linjat e furnizimit ushtarak.
2-“Mund të arrijmë pragun bërthamor pa e kuptuar”
Pikërisht këto kapacitete të reja kanë shtuar shqetësimet në Paris për rrezikun e një keqllogaritjeje nga Moska.
“Nëse rusët e keqinterpretojnë mesazhin, ne mund të arrijmë pragun bërthamor pa e kuptuar fare”, citohet të ketë thënë një zyrtar francez për Financial Times.
Franca druhet gjithashtu se Rusia mund ta konsiderojë Parisin përgjegjës për sulmet e kryera nga aleatët e tjerë evropianë, edhe në rastet kur ushtria franceze nuk është e përfshirë drejtpërdrejt.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, Franca ka ndërtuar ndër vite një gjuhë dhe doktrinë të posaçme për parandalimin bërthamor, ndërsa Gjermania nuk ka të njëjtën traditë strategjike në këtë fushë.
3- Berlini kërkon një doktrinë të përbashkët me Francën
Pavarësisht shqetësimeve të Parisit, pala gjermane është shprehur e gatshme për hartimin e një kuadri të përbashkët që do të përcaktonte mënyrën e përdorimit të armëve me rreze të gjatë veprimi dhe menaxhimin e rreziqeve të përshkallëzimit.
Një zyrtar i lartë gjerman i tha Financial Times se Berlini pajtohet plotësisht me nevojën për një doktrinë të përbashkët.
Sipas tij, diskutimet e mëparshme kishin ngecur për shkak të debateve të brendshme në Francë mbi të ardhmen e strategjisë së saj bërthamore. Megjithatë, konsultimet mes dy vendeve po marrin sërish vrull.
4-Gjermania refuzon raketat Taurus për Ukrainën
Zgjerimi i arsenalit raketor gjerman ka rikthyer në vëmendje edhe refuzimin e Berlinit për t’i furnizuar Ukrainës me raketat Taurus.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e riktheu këtë kërkesë në një intervistë më 5 nëntor për televizionin gjerman ZDF, duke deklaruar se Kievi dëshiron t’i blejë këto armë dhe t’i testojë në kushte reale luftimi.
Megjithatë, Gjermania ka refuzuar vazhdimisht dërgimin e raketave Taurus, duke argumentuar se një vendim i tillë mund të shtojë rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka argumentuar se Ukraina disponon tashmë kapacitete për të goditur rafineritë ruse të naftës dhe objektivat logjistike ushtarake përmes dronëve të prodhuar në vend.
Diskutimet mes Parisit dhe Berlinit për një strategji të përbashkët vijnë në një moment kur vendet evropiane po rrisin investimet në mbrojtje, ndërsa shqetësimi për një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë mbetet një nga çështjet kryesore të sigurisë në kontinent.


