Debat i ashpër dhe akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës kanë shoqëruar ditën e fundit të debatit të përgjithshëm për Propozim-Buxhetin e vitit 2027 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Në fokus të diskutimeve ishin rritja ekonomike, borxhi publik, investimet infrastrukturore dhe ndarjet buxhetore për bujqësinë.
Nga nesër nis shqyrtimi i amendamenteve, ku do të diskutohen rreth 400 amendamente të dorëzuara nga partitë opozitare.
Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, kritikoi buxhetin e propozuar, duke vlerësuar se shifrat e planifikuara nuk përputhen me paralajmërimet e pushtetit për zhvillim ekonomik. Ai pretendoi se janë paraparë më pak mjete për projekte infrastrukturore, ndërtimin e rrugëve dhe mbështetjen e bujqësisë.
Kritikave iu përgjigj deputeti Prenxhov, i cili i cilësoi pretendimet e opozitës si manipulime dhe spekulime. Ai krahasoi rritjen ekonomike, duke deklaruar se gjatë periudhës kur Spasovski ishte ministër ajo mesatarisht ishte 1,1%, ndërsa aktualisht, sipas tij, arrin në 3,7%.
Prenxhov gjithashtu pretendoi se borxhi publik është ulur, nga 60,5% në 56,6% gjatë dy viteve të fundit.
Në debat u përfshi edhe Levica, e cila ka dorëzuar 80 amendamente. Shtatë prej tyre synojnë përmirësimin e sistemit të mbrojtjes nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore.
Levica kërkon ndarjen e 160 milionë denarëve për ndërtimin, përshtatjen dhe pajisjen e strehimoreve të reja për viktimat e dhunës.
Me përfundimin e debatit të përgjithshëm, Kuvendi kalon në fazën e shqyrtimit të amendamenteve, ku do të diskutohet për prioritetet e financimit shtetëror dhe shpërndarjen e mjeteve për zhvillim ekonomik e social.


