Me rroba nga tregu dhe një video çdo ditë, Rachel Ojuromi arriti të ecë për Chanel në Paris
Rroba të përdorura nga tregu, një shoqe fëmijërie si stiliste dhe rrugët e Lagosit si pasarelë. Kështu nisi rruga e Rachel Ojuromit, 22-vjeçares nigeriane që muajin e kaluar eci në shfaqjen e Chanel në Paris. Për gjashtë muaj, Ojuromi publikoi çdo ditë nga një video mode në Instagram. Në to ajo rikrijonte koleksione të markave të mëdha me rroba të përdorura dhe copa pëlhure, që i gjente kryesisht në tregjet e hapura të qytetit.

Pas çdo pamjeje qëndron Debby Fasingha, shoqja e saj e fëmijërisë dhe stilistja që ia përgatit veshjet. Videot xhirohen në rrugë, para syve të kalimtarëve, tregtarëve dhe shoferëve, që shpesh e ndjekin me buzëqeshje dhe brohoritje. Ojuromi thotë se një nga parimet e saj është të jetojë brenda realitetit të situatës. “Nuk do të shpenzoj para për diçka që nuk e përballoj, vetëm sepse dua të krijoj një pamje të caktuar”, citon The Guardian.

Momenti vendimtar erdhi kur dy shoqet rikrijuan koleksionin Métiers d’Art 2026 të Chanel. Videoja u publikua me lejen e drejtoreshës së kastingut të markës dhe shpejt tërhoqi vëmendjen e disa emrave të njohur të modës, mes tyre edhe të drejtorit kreativ, Matthieu Blazy.

Bisedat që pasuan e çuan Ojuromin nga Lagosi në Grand Palais të Parisit, ku eci për koleksionin pranverë-verë 2027 të Chanel. E çuditshme është se ajo fillimisht nuk ëndërronte modën, por mjekësinë. Donte të bëhej neurokirurge, por pas disa problemeve me aplikimin në kolegj mori një vit pushim, nisi të merrej me film dhe e kuptoi se kirurgjia nuk ishte për të.

Sot ajo është edhe regjisore, drejtoreshë kreative dhe themeluese e The Process Africa, një platforme për të rinjtë afrikanë. Ojuromi nuk do që puna e tyre të shihet si diçka e veçantë vetëm pse vjen nga Afrika. “Është modë. Është art. Është muzikë. Është kreativitet”, thotë ajo.


