Lëvizja Studentore ka reaguar ashpër pas ndalimit në pikën kufitare të Bllacës të kryetarit të Parlamentit Studentor, Besar Sejdiu, duke ngritur dyshime për presion dhe represion institucional ndaj përfaqësuesve studentorë në Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta KOHA.
Sipas reagimit të përbashkët të Lëvizjes Studentore, përfaqësuesve të Kuvendit Studentor të Universitetit Nënë Tereza (UNT), dhe Parlamentit Studentor të UEJL-së, Sejdiu është ndaluar gjatë kalimit në pikën kufitare Bllacë, derisa po udhëtonte së bashku me një grup studentësh për të marrë pjesë në aktivitete studentore në Itali.
Organizatat studentore pretendojnë se Sejdiu është veçuar nga grupi pa ndonjë arsye të qartë dhe është shoqëruar nga zyrtarët kufitarë në ambientet e brendshme të pikës kufitare, raporton KOHA.
Sipas tyre, gjatë kontrollit, Sejdiu është njoftuar se institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë vendosur në një listë të personave që u nënshtrohen kontrolleve të veçanta, por pa iu dhënë shpjegime për arsyet dhe bazën ligjore të një vendimi të tillë.
“Pa asnjë arsye të qartë, Besar Sejdiu është veçuar nga grupi i studentëve dhe është shoqëruar nga zyrtarët kufitarë në ambientet e brendshme të pikës kufitare. Arsyetimi i dhënë ka qenë i pabazë dhe fyes, ndërsa mënyra e trajtimit të tij përbën një përpjekje të papranueshme për ta intimiduar dhe për t’i ushtruar presion”, thuhet në reagim.
Lëvizja Studentore vlerëson se ky rast ngre dyshime serioze për një përpjekje të qëllimshme të institucioneve për të ushtruar presion mbi përfaqësuesit studentorë dhe për t’i dekurajuar ata nga vazhdimi i kërkesave të tyre.
Organizatat studentore kërkojnë përgjigje publike nga institucionet kompetente lidhur me arsyet e vendosjes së Sejdiut në listën e kontrollit të veçantë, si dhe identifikimin e autoriteteve që kanë marrë një vendim të tillë.
“Kush ka dhënë urdhër që një përfaqësues studentor të veçohet dhe të trajtohet në këtë mënyrë? Mbi çfarë baze është vendosur Besar Sejdiu në këtë listë dhe kush e ka marrë këtë vendim?”, pyesin përfaqësuesit studentorë.
Ata paralajmërojnë se veprime të tilla, të cilat i konsiderojnë metoda frikësimi, nuk do ta ndalin angazhimin dhe organizimin e studentëve për realizimin e kërkesave të tyre.
“Nëse dikush mendon se me ndalesa në kufi, presione dhe metoda frikësimi do ta heshtë zërin e studentëve, gabon rëndë. Ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, edhe më të organizuar dhe edhe më të vendosur në kërkesat tona”, theksohet në reagim.
Në fund, organizatat studentore përcjellin mesazhin se nuk do të tërhiqen përballë asnjë forme presioni.
“Këto përpjekje për të na frikësuar janë të destinuara të dështojnë. Zëri i studentëve nuk do të ndalet. Nga kërkesat tona nuk do të heqim dorë!”, përfundon reagimi i nënshkruar nga Suhejb Memedi, përfaqësues i Kuvendit Studentor të UNT-së, Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore, si dhe nga Besjan Rexhepi i Parlamentit të Studentëve në UEJL.


