Nga 1 dhjetori ndryshojnë rregullat për pushimin mjekësor, ja çfarë duhet të dinë qytetarët

Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi rregullat e reja për hapjen, kohëzgjatjen dhe mbylljen e pushimit mjekësor.

Sipas Rregullores së re, mjeku amë do të mund të miratojë pushim mjekësor deri në pesë ditë. Për mungesë më të gjatë se pesë ditë do të nevojiten ekzaminime përkatëse diagnostikuese dhe raport specialistik me rekomandim për kohëzgjatjen e pushimit mjekësor.

Për pushim mjekësor më të gjatë se 15 ditë do të jetë i nevojshëm miratimi nga komisioni mjekësor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Pushimi mjekësor do të hapet në ditën e kontrollit mjekësor ose ditën pasuese. Në raste të arsyetuara, do të mund të hapet edhe në mënyrë retroaktive, por jo më shumë se një ditë prapa. Mbyllja do të bëhet në ditën e fundit të periudhës së miratuar ose, më së voni, një ditë pas saj.

Për hapjen e një pushimi të ri mjekësor për të njëjtën diagnozë, brenda një periudhe më të shkurtër se 30 ditë, do të kërkohet miratimi paraprak i komisionit mjekësor.

Pas trajtimit spitalor, vazhdimi retroaktiv i pushimit mjekësor do të jetë i mundur për një periudhë prej maksimumi pesë ditësh kalendarike, me miratimin e komisionit.

Gjatë hapjes së pushimit mjekësor do të lëshohet një vërtetim, ndërsa formulari ISR do të lëshohet pas përfundimit të tij.