Në periudhën nga 28 shtatori deri më 9 tetor 2026, Ministria e Punëve të Brendshme mori pjesë në aksionin operativ ndërkombëtar “CARBACK II”, të organizuar nga INTERPOL-i, i cili kishte për qëllim shtypjen e kriminalitetit që lidhet me automjetet motorike, identifikimin dhe shkatërrimin e grupeve të organizuara kriminale të përfshira në vjedhjen, kontrabandimin dhe tregtimin e paligjshëm të automjeteve, zbulimin e automjeteve të ndërlidhura me mashtrime sigurimesh, lizingu dhe mashtrime të tjera financiare, si dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe shkëmbimit të informacioneve operative dhe inteligjente.
Në operacion morën pjesë disa njësi organizative të Byrosë për Siguri Publike, ndër të cilat Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, Departamenti i Policisë Kriminalistike, Departamenti për Çështje Kufitare dhe Migracion me të gjitha qendrat rajonale për çështje kufitare dhe njësitë mobile për masa kompensuese, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, Departamenti i Policisë së Uniformuar, Departamenti për Ekzaminime dhe Ekspertiza Kriminalistike-Teknike, Departamenti i Zbulimit dhe Analizës Kriminalistike, Departamenti i Çështjeve Civile, si dhe të gjithë sektorët për punë të brendshme.
Pjesëmarrje dhe kontribut aktiv dhanë edhe Drejtoria e Doganave, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Inspektorati Shtetëror i Punës, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.
Gjatë aktiviteteve operative janë kryer gjithsej 3.944 kontrolle të automjeteve në disa pika kontrolli, vendkalime kufitare dhe lokacione kritike në të gjithë vendin.
Në lidhje me rastet e zbuluara, dy persona janë privuar nga liria.
Si rezultat i aktiviteteve të ndërmarra, janë sekuestruar 67 automjete:
– 55 automjete janë sekuestruar për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale „fshehja e mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor“;
– 3 automjete janë sekuestruar për shkak të dyshimit për falsifikim të dokumenteve, përkatësisht falsifikim të numrit të shasisë (VIN);
– 4 automjete janë sekuestruar për kundërvajtje doganore;
– 2 automjete ishin objekt i kërkimit ndërkombëtar nga Gjermania, të lidhura me mashtrim me lizing dhe përvetësim të paligjshëm;
– 1 automjet është sekuestruar për veprën penale „përvetësim i paligjshëm“;
– 1 automjet është sekuestruar për shkak të falsifikimit të dokumenteve, me përdorimin e targave të regjistrimit të një automjeti tjetër;
– 1 automjet është sekuestruar për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale „cenimi i të drejtave të huaja“.
Paralelisht me kontrollet policore, janë realizuar edhe kontrolle të koordinuara inspektuese në 17 subjekte juridike që ushtrojnë veprimtari të shitjes së automjeteve dhe pjesëve të përdorura të automjeteve.
Gjatë këtyre kontrolleve janë inspektuar 809 automjete, prej të cilave 59 janë sekuestruar.
Me pjesëmarrjen në këtë operacion ndërkombëtar, Ministria e Punëve të Brendshme konfirmon përkushtimin e saj për avancimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërinstitucional, shkëmbimin e informacioneve operative dhe veprimin e përbashkët në zbulimin dhe shtypjen e krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.


