Ndryshimet e reja në Kodin Penal nuk do të vlejnë në mënyrë retroaktive, rastet e vjetra mbeten sipas rregullave të mëparshme

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dërguar në Bruksel propozim-ndryshimet në Kodin Penal dhe në Ligjin për Procedurën Penale.

Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se propozim-ndryshimet janë përcjellë në Bruksel, duke theksuar se zgjidhjet e reja ligjore nuk do të zbatohen në mënyrë retroaktive. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai sqaroi se ndryshimet do të vlejnë për rastet e ardhshme, përkatësisht për ngjarjet dhe procedurat që do të zhvillohen në të ardhmen.

Këto ndryshime që po i miratojmë tani vlejnë nga ky moment e tutje dhe nuk do të kenë efekt retroaktiv“, theksoi Mickoski.

Kryeministri kritikoi ashpër qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, duke i akuzuar se përmes ndryshimeve të mëparshme në Kodin Penal, të miratuara me procedurë të shkurtuar dhe me flamur evropian, kishin synuar të mbroheshin nga përgjegjësia për veprime kriminale dhe të siguronin amnisti politike për ish-struktura të VMRO-DPMNE-së.

Sipas Mickoskit, ndryshimet e mëparshme ligjore kanë dobësuar sundimin e ligjit dhe luftën institucionale kundër krimit dhe korrupsionit.

Ai theksoi se personat ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale gjatë periudhës së qeverisjes së kaluar, edhe më tej do të mund të thirren në zbatimin e ligjit më të favorshëm për ta, përkatësisht në ndryshimet e miratuara gjatë kohës së LSDM-së dhe BDI-së.

Mickoski shtoi se zgjidhjet e reja ligjore do të vlejnë për qeverinë aktuale dhe ato të ardhshme, përveç në rast se ndonjë qeveri vendos që sërish t’i ndryshojë ligjet.