Nagavci: Pamjet e Krasniqit na kujtojnë se pas çdo procesi gjyqësor ka familje që presin

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, në seancën e Kuvendit, ka folur për vendimin e themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

Në fjalën e saj, ajo tha se pamjet nga vizita e djeshme e Jakup Krasniqit në Prishtinë, ishin të rënda për t’u parë.

“Pas 6 vjetësh në Hagë, ai u kthye në Kosovë për të takuar bashkëshorten e tij, gjendja shëndetësore e të cilës është e rënduar. Ky takim familjar u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Ato pamje, përveç tjerash, na kujtuan se pas çdo procesi gjyqësor ka njerëz, ka familje që presin, që shtyjnë ditët pa të dashurit e tyre dhe përballen çdo ditë me mungesën e tyre. Ka vite që nuk kthehen dhe momente familjare që nuk mund të rikuperohen”.

“Por ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër. Vendimet politike nuk mbeten në dokumente, në procesverbale dhe në tabelat e votimit. Ato dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë në jetën e njerëzve. Jakup Krasniqi është një nga figurat e rëndësishme të historisë politike të Kosovës. Ishte pjesë e rezistencës kundër regjimit serb, përjetoi burgjet e tij dhe gjatë luftës shërbeu si zëdhënës i UÇK-së dhe përfaqësues politik i saj. Pas çlirimit vazhdoi angazhimin në ndërtimin e institucioneve të vendit, duke shërbyer si kryetar kuvendi dhe deputet”, deklaroi Nagavci.

Deputetja e LVV-së kujtoi se si më 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi votoi ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Ato ndryshime morën 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim. Po atë ditë u miratua edhe Ligji për Dhomat e Specializuara. Sot, 11 vjet më vonë, kemi mundësi t’i shohim pasojat e atij vendimi në dy rrafshe: në atë politik e historik, por edhe në ndikimin në jetën dhe familjet tona. Dje i pamë këto dy të fundit në fytyrën e kthimit të Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij për pak kohë. Një vendim i marrë në këtë Kuvend përcakton raportin e shtetit me të kaluarën e tij dhe ndikon në jetën e gjeneratave që vijnë. Prandaj, krahas shumicës së votave, duhet të shtrojmë edhe pyetjen thelbësore: çfarë po miratojmë, çfarë përgjegjësie po marrim dhe cilat mund të jenë e do të jenë pasojat e vendimit tonë”, u shpreh deputetja e LV-së.

Ajo kujtoi se partia e saj e kishte kundërshtuar Gjykatën Speciale edhe në kohën kur pritej votimi i saj, dhe theksoi se “duhet ta themi edhe sot: votimi për themelimin e saj ishte gabim, të cilit po ia shohim pasojat edhe sot”.

“Gjykata Speciale e themeluar me votat e këtij Kuvendi, më 16 shtator 2026, e dënoi Jakup Krasniqin dhe ne e konsiderojmë këtë aktgjykim të padrejtë dhe kemi shqetësime serioze për përfundimet e tij dhe për ndikimin që ky proces mund të ketë në interpretimin dhe dokumentimin e historisë së luftës së Kosovës”.

“Mbi të gjitha, duhet të nxjerrim një mësim për mënyrën se si ushtrojmë përgjegjësinë tonë parlamentare. Vendimet me peshë historike kërkojnë kohë, pjekuri dhe gjykim të thellë. Ato duhet të merren përtej euforisë, përtej presionit politik apo kalkulimeve të çastit. Një vendim mund të merret brenda pak minutash, por pasojat e tij mund të zgjasin me dekada”, u shpreh Arbërie Nagavci.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes tha se pamjet e djeshme të Jakup Krasniqit duhet të mbeten për ne në një kujtesë të fortë, sepse pas çdo vendimi politik, ka jetë njerëzore.

“Historia shkruhet nga ajo që ndodh në luftë, por edhe nga vendimet që i marrim si shtet pas saj. Për këtë arsye, përgjegjësia jonë vazhdon shumë vite pas ngritjes së dorës për të votuar, kur përballemi me pasojat e vendimeve tona. Kjo është përgjegjësia që e kemi ndaj qytetarëve, ndaj historisë së Kosovës dhe ndaj gjeneratave që vijnë”, deklaroi Nagavci. /Klankosova.tv