Paga reale neto ëshët për 5,2 për qind më e lartë krahasuar me një vit më parë. Ky është një rezultat i mirë, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike në rajon dhe në botë, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në Dellçevë.
“Gjatë ditës së djeshme Enti Shtetëror i Statistikës publikoi të dhëna për muajin shtator lidhur me pagën mesatare neto. Paga reale neto është për 5,2 për qind më e lartë krahasuar me një vit më parë. A është kjo e mjaftueshme? Do të thoja se jo. A duhet më shumë? Po, duhet. Por, duke marrë parasysh të gjitha këto sfida, vlerësoj se rezultati është vërtet i mirë, madje do të thoja shumë i mirë“, deklaroi Mickoski.
Kryeministri bëri një krahasim mes rritjes së pagave në vitin 2022 dhe në vitin 2026.
“Çfarë është paga reale neto, në mënyrë që qytetarët të mund të konkludojnë? Ajo është paga neto nga e cila zbritet inflacioni, përkatësisht rritja e kostos së jetesës për muajin për të cilin analizojmë pagën reale neto. Shpesh duhet të bëni edhe krahasime me periudhat e mëparshme. Unë bëj krahasime me atë se si ka qenë më parë. Krahasimi më i thjeshtë është ai mes muajit shtator të vitit 2026 dhe muajit shtator të vitit 2022, pasi këto vite janë disi të ngjashme sa i përket krizës energjetike, edhe pse në atë kohë kriza energjetike kishte përfunduar në shtator të vitit 2022“, theksoi Mickoski.
Ai theksoi se kur bëhet një krahasim midis këtyre dy muajve, do të arrihet në përfundimin se paga reale neto, kur inflacioni zbritet nga paga neto, është rritur për 5,2 përqind.
“Atëherë ishte ulur për 5 për qind, përkatësisht ishte minus 5 për qind. Tani jemi në plus 5,2 për qind, ndërsa atëherë ishim në minus 5 për qind. Atëherë ishte qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa tani është qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. A është kjo e mjaftueshme? Do të them përsëri se jo. A duhet më shumë? Po, duhet. Por, duke marrë parasysh situatën dhe gjithçka që po ndodh në rajon dhe në botë, do të përsëris se jam shumë i kënaqur me drejtimin në të cilin po lëvizin treguesit fillestarë“, theksoi Mickoski.
Sipas tij, të gjitha problemet nuk janë zgjidhur, por vlerësoi se gjendja është më e mirë sesa ishte para tre vitesh.
“Dhe a do të jetë më mirë pas tre vitesh sesa sot? Jam i bindur se pas tre vitesh do të jetë më mirë se sot. Sot nuk kemi më ministra që bëjnë akrobacione nëpër kabinete dhe luajnë basketboll, në vend që të realizojnë projekte dhe të punojnë në interes të qytetarëve. Mund t’ju jap edhe shumë shembuj të tjerë. Por ajo që më bën të kënaqur në këtë moment është fokusi, pavarësisht faktit se po përballemi me një situatë vërtet të vështirë dhe sfiduese në botë“, shtoi kryeministri Mickoski.


