Mickoski nuk mund të fshihet pas Komisionit të Venecias

Çdo përpjekje për të ndryshuar thelbin e kompromisit gjuhësor duhet të trajtohet si çështje e marrëdhënieve politike dhe kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar shteti, jo si një korrigjim teknik që gjoja e kërkon Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias përcakton standardet minimale. Maqedonia e Veriut ka historinë, specifikat dhe kompromiset e veta. Dhe nëse kryeministri dëshiron të kthehet te Ligji i vitit 2008, duhet ta thotë qartë se kjo është zgjedhja e tij politike. Jo të përpiqet ta paraqesë si detyrim që ia ka imponuar Komisioni i Venecias

Nga Sefer SELIMI

Komisioni i Venecias është organ këshillues i Këshillit të Evropës. Ai jep mendime dhe rekomandime, por nuk miraton ligje, nuk merr vendime gjyqësore dhe mendimet e tij nuk janë juridikisht detyruese. Aq më pak mund të përdoren si urdhra për të kufizuar të drejtat që një shtet i ka garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Kjo është pika nga e cila duhet të fillojë debati për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe mënyrën se si kryeministri Hristijan Mickoski po e përdor Komisionin e Venecias për të arsyetuar kthimin te Ligji i vitit 2008.

Duke iu referuar mendimit të vitit 2019, kryeministri përzgjedh pjesët që flasin për kostot financiare, vështirësitë administrative dhe ndikimin e mundshëm në procedurat gjyqësore. Prej këtyre vërejtjeve ndërton argumentin se duhet të kthehemi te zgjidhja e mëparshme ligjore.

Ky është një interpretim selektiv që e shtrembëron kuptimin e plotë të mendimit të Komisionit. Sepse Komisioni nuk flet vetëm për kostot. Ai flet edhe për zgjerimin e të drejtave gjuhësore, për specifikat e secilit shtet dhe për detyrimin që ligjet e miratuara të zbatohen në praktikë.

Mbi të gjitha, Komisioni i Venecias e pranon shprehimisht se shtetet kanë specifikat e tyre historike, shoqërore dhe kushtetuese, të cilat duhet të merren parasysh kur përcaktohen të drejtat gjuhësore.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk lindi rastësisht dhe as nuk është një zgjidhje administrative e shkëputur nga historia e shtetit. Ai është rezultat i një procesi të gjatë kompromisesh politike dhe kushtetuese, që fillon me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe vazhdon me përpjekjet për ta ndërtuar Maqedoninë e Veriut si shtet unitar, ku shqiptarët dhe bashkësitë e tjera mund t’i realizojnë të drejtat e tyre brenda institucioneve të përbashkëta.

Pikërisht kjo është specifika jonë, të cilën Komisioni i Venecias nuk e mohon dhe nuk pretendon ta zëvendësojë me një model të njëjtë për të gjitha shtetet.

Marrëveshja e Ohrit nuk ishte marrëveshje për përkthyes dhe formularë. Ishte kompromis politik për mënyrën se si do të funksiononte shteti, si do të ndahej pushteti dhe si do të garantohej barazia e bashkësive etnike, duke ruajtur karakterin unitar të Maqedonisë së Veriut.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është pjesë e zhvillimit të këtij kompromisi. Për shqiptarët, ai nuk është thjesht çështje e lehtësimit të komunikimit me administratën. Është çështje e statusit të gjuhës shqipe dhe e barazisë së tyre në raport me shtetin.

Prandaj, debati për këtë ligj nuk mund të reduktohet në një përllogaritje financiare.

Në mendimin e përbashkët Amicus Curiae, të miratuar në mars të vitit 2025, Komisioni i Venecias e sqaron këtë çështje edhe më qartë.

Në paragrafin 6, ai deklaron se mendimi i tij nuk merret me specifikat e Maqedonisë së Veriut, por me standardet ndërkombëtare në përgjithësi. Interpretimi i Kushtetutës dhe vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve mbeten kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Komisioni nuk pretendon të vendosë se çfarë modeli gjuhësor duhet të ketë Maqedonia e Veriut.

Në paragrafin 9, Komisioni thekson se standardet ndërkombëtare dhe evropiane janë standarde minimale, jo kufiri maksimal i të drejtave që mund të garantohen. Madje, rikujton se kur shtetet shkojnë përtej këtyre standardeve, kjo është vlerësuar pozitivisht.

Kjo e rrëzon logjikën sipas së cilës një e drejtë duhet të kufizohet vetëm sepse shkon përtej asaj që kërkojnë standardet minimale evropiane.

Por argumenti më i fortë gjendet në vetë konkluzionet e mendimit të vitit 2025.

Në paragrafin 51, Komisioni rithekson se shtetet kanë hapësirë të gjerë për të marrë parasysh specifikat e situatës së tyre faktike dhe të sistemeve të tyre juridike. Nuk ekziston një formulë e vetme për të gjitha shtetet, sepse rrethanat e tyre janë të ndryshme.

Në paragrafin 52, ai shkon edhe më tej, duke sqaruar se asgjë nuk i pengon shtetet të garantojnë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e drejtë të drejtësisë.

Këtu lind pyetja që kryeministri duhet t’i përgjigjet. Nëse Komisioni i Venecias e pranon se shtetet kanë specifikat e tyre dhe se mund të garantojnë të drejta përtej standardeve minimale, përse Maqedonia e Veriut duhet të kthehet prapa nga kompromisi i saj politik dhe kushtetues?

Përse pikërisht të drejtat e shqiptarëve duhet të trajtohen si barrë financiare?

Argumenti i kostos është veçanërisht problematik kur shkëputet nga pjesa tjetër e mendimit të Komisionit.

Në paragrafin 10 të mendimit të vitit 2025, Komisioni thekson se zbatimi i duhur i ligjit është pjesë e sundimit të së drejtës. Në paragrafët 33 dhe 49 kërkon që shteti të sigurojë burimet financiare, administrative dhe njerëzore për zbatimin efektiv të të drejtave të garantuara.

Me fjalë të tjera, kur shteti garanton një të drejtë, merr përsipër edhe përgjegjësinë për ta zbatuar atë.

Nëse mungojnë përkthyesit, duhet të sigurohen përkthyes. Nëse administrata nuk ka kapacitete, ato duhet të ndërtohen. Nëse procedurat krijojnë vonesa, duhet të përmirësohet organizimi i tyre, duke respektuar të drejtën për gjykim të drejtë.

Kostoja e zbatimit nuk është, në vetvete, argument juridik për heqjen e një të drejte.

Një element domethënës është edhe trajtimi i dygjuhësisë në kartëmonedha, monedha dhe uniforma. Komisioni nuk i trajton këto çështje si të ndaluara nga standardet evropiane. Kjo tregon se përdorimi i gjuhëve në simbolet dhe funksionimin publik të shtetit nuk mund të vlerësohet vetëm me logjikën e kostos apo të domosdoshmërisë administrative.

Kjo është arsyeja pse referimi selektiv i Mickoskit te Komisioni i Venecias është manipulues. Ai merr nga një mendim këshillues atë që i shërben argumentit të tij politik dhe lë jashtë parimet që e vendosin atë mendim në kuadrin e duhur juridik.

Komisioni i Venecias nuk e ka shkruar Marrëveshjen e Ohrit. Nuk e ka negociuar kompromisin politik mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe nuk ka marrë përgjegjësi për funksionimin e shtetit pas vitit 2001.

Këtë përgjegjësi e kanë marrë institucionet dhe përfaqësuesit politikë të Maqedonisë së Veriut.

Prandaj, çdo përpjekje për të ndryshuar thelbin e kompromisit gjuhësor duhet të trajtohet si çështje e marrëdhënieve politike dhe kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar shteti, jo si një korrigjim teknik që gjoja e kërkon Komisioni i Venecias.

Komisioni i Venecias përcakton standardet minimale. Maqedonia e Veriut ka historinë, specifikat dhe kompromiset e veta.

Dhe nëse kryeministri dëshiron të kthehet te Ligji i vitit 2008, duhet ta thotë qartë se kjo është zgjedhja e tij politike. Jo të përpiqet ta paraqesë si detyrim që ia ka imponuar Komisioni i Venecias.