Mexhiti: Në demokracitë multietnike nuk guxon të ketë ndarje në „ne“ dhe „ata“, qytetarët vendosin me votë

Izet Mexhiti, njëri nga kryetaret e VLEN ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës, duke bërë thirrje për dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi politike, ndërsa deklaratat polarizuese të ditëve të fundit i ka cilësuar si „folklor paszgjedhor“.

Mexhiti thekson se zgjedhjet kanë përfunduar, Bërvenica tashmë ka kryetar komune dhe qytetarët duhet t’u kthehen obligimeve të përditshme.

Ai është shprehur se deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kishte konsideruar si folklor parazgjedhor, ndërsa në të njëjtën mënyrë i trajton edhe deklaratat polarizuese që, sipas tij, janë dëgjuar pas shpalljes së rezultateve zgjedhore.

„Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim“, ka shkruar Mexhiti.

Duke folur për bashkëjetesën në shoqëritë multietnike, ai ka theksuar se nuk duhet të ketë ndarje në „ne“ dhe „ata“, pasi një qasje e tillë, sipas tij, nënkupton pabarazi dhe tendenca për të shtypur tjetrin.

„Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë“, ka theksuar Mexhiti.

Në fund, ai ka nënvizuar se qytetarët vendosin përmes votës, ndërsa partitë dhe përfaqësuesit politikë duhet të marrin përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e tyre, në vend që të merren me arsyetime dhe interpretime paszgjedhore.