Melania Trump nderohet nga Ukraina, Zelensky i akordon Urdhrin e Princeshës Olga!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nderuar Zonjën e Parë të SHBA-ve, Melania Trump, me Urdhrin e Princeshës Olga, të Klasit të Parë, një nga vlerësimet më të larta të Ukrainës për gratë. Dekorata iu akordua në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të rëndësishëm humanitar në mbështetje të Ukrainës.

Vlerësimi vjen pas një zhvillimi të rëndësishëm diplomatik, ku ndërhyrja e Melania Trump ndihmoi në sigurimin e një armëpushimi në rajonin jugor të Khersonit. Marrëveshja mundësoi evakuimin e disa qindra personave nga qyteti i Oleshky-t, i pushtuar nga forcat ruse.

Shtëpia e Bardhë vlerësoi angazhimin e Zonjës së Parë, duke theksuar se ajo kishte ndërmarrë në mënyrë të pavarur nismën për të vendosur komunikimin mes dy vendeve në luftë dhe kishte arritur të siguronte armëpushimin.

Dashuri të reja, surpriza dhe kthesa në marrëdhënie, çfarë rezervon nëntori për 12 shenjat e horoskopit?!
“Kjo arritje shënon një nismë diplomatike të paprecedentë nga një Zonjë e Parë amerikane”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Edhe pala ruse, edhe ajo ukrainase kanë shprehur mirënjohjen për rolin e Melania Trump në këtë proces. Si hap i radhës, delegacione të të dy vendeve do të takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të saj.

Në takim do të marrin pjesë Avokati i Popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets, homologja e tij ruse Yana Lantratova, deputeti ukrainas Davyd Arakhamia dhe zyrtari rus Kirill Dmitriev. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë të të dy vendeve shihet si një tjetër hap në vijimin e komunikimit diplomatik.

Përveç angazhimit për armëpushimin, Melania Trump ka qenë aktive edhe në çështjen humanitare të fëmijëve ukrainas të zhvendosur nga lufta. Në vitin 2025, ajo bëri të ditur se kishte vendosur një kanal të hapur komunikimi me presidentin rus Vladimir Putin, me synimin për të ndihmuar ribashkimin e fëmijëve ukrainas me familjet e tyre.

Ndërkohë, javën e ardhshme, përfaqësues amerikanë, rusë dhe ukrainas pritet të zhvillojnë një takim trepalësh në Abu Dhabi, ku do të diskutojnë garancitë e sigurisë pas luftës dhe uljen e tensioneve.