Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, sot qëndroi në një vizitë pune në Komunën e Radovishit, ku zhvilloi një takim me kryetarin e komunës, Lupçe Poçivalec, gjatë të cilit u diskutua për realizimin e projekteve aktuale dhe të planifikuara infrastrukturore, si dhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe vetëqeverisjes lokale në Komunën e Radovishit.
Vëmendje e veçantë gjatë takimit të punës iu kushtua edhe projektit të planifikuar për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe kanalizimit atmosferik në Bllokun Urban 15 në Radovish, realizimi i të cilit parashihet të mbështetet financiarisht nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Ky investim infrastrukturor paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve komunale, sigurimit të furnizimit më të qëndrueshëm me ujë dhe menaxhimit më efikas të ujërave të ndotura dhe ujërave atmosferike.
Në takim u theksua se zbatimi i suksesshëm i projekteve infrastrukturore kërkon koordinim dhe partneritet të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, me prioritete të përcaktuara qartë, të cilat burojnë nga nevojat reale të popullsisë.
„Qytetarët nuk e matin suksesin e institucioneve vetëm në bazë të mjeteve të investuara, por sipas përmirësimeve që i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme. Pikërisht për këtë arsye, çdo projekt i realizuar, çdo metër i ndërtuar i rrjetit të ujësjellësit ose kanalizimit dhe çdo shtrat i rregulluar i lumit për ne përfaqëson investim në sigurinë, shëndetin dhe cilësinë më të mirë të jetës së tyre. Qëllimi ynë është që investimet në mjedisin jetësor të jenë të dukshme përmes përfitimeve konkrete për qytetarët dhe të krijojnë vlera të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme“, theksoi zëvendësministrja Lashkoska.
Në këtë drejtim, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor edhe gjatë vitit 2027 do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin me Komunën e Radovishit, me fokus në realizimin e projekteve prioritare infrastrukturore, menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve ujore dhe përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës së popullsisë lokale.
MMJPH-ja punon me përkushtim që, përmes investimeve të vazhdueshme, menaxhimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore dhe partneritetit me vetëqeverisjet lokale, të krijojë zgjidhje afatgjata për sfidat ekologjike dhe infrastrukturore, me një qëllim të qartë – vendbanime më të sigurta, mjedis jetësor më të pastër dhe cilësi më të mirë të jetës për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.


