Kurti: Normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë duhet të bazohet në njohjen reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar se ky proces duhet të mbështetet në njohjen reciproke mes dy vendeve, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për televizionin francez France 24, kryeministri Kurti tha se Kosova është shtet i pavarur dhe republikë demokratike, ndërsa vlerësoi se njohja e këtij realiteti nga Beogradi do të ndikonte pozitivisht në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në rrugën evropiane të Serbisë.

“Ne duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se sa më shpejt që Beogradi ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për perspektivën e tyre evropiane.

Kurti gjithashtu u shpreh se është ende herët, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat ish-presidenti Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, për të vlerësuar nëse mund të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur për procesin e integrimit evropian të Kosovës, Kurti shprehu keqardhje që vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ndonëse ka aplikuar për anëtarësim katër vjet më parë.

“Ne jemi të vetmit në Evropë pa statusin e vendit kandidat”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova është e gatshme të përmbushë të gjitha kërkesat dhe kriteret e procesit të anëtarësimit.

Ai theksoi se Kosova nuk kërkon trajtim të veçantë apo rrugë të përshpejtuar drejt BE-së, por një proces të bazuar në meritë.

Kurti vlerësoi se mungesa e konsensusit brenda Këshillit të BE-së, për shkak të pesë vendeve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanjës, Qipros Greke, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë, mbetet një nga pengesat në avancimin e procesit.

Megjithatë, ai tha se Kosova ka shtuar bashkëpunimin dhe komunikimin me këto vende, duke përmendur si zhvillime pozitive njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë.