Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka deklaruar se vendi i tij po përgatitet për t’iu përgjigjur një agresioni të mundshëm ushtarak nga jashtë, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, të cilat janë interpretuar si kërcënim ndaj Kubës.
“Jemi të vendosur të zmbrapsim çdo përpjekje për agresion të huaj ushtarak ndaj vendit tonë”, deklaroi Díaz-Canel, duke theksuar se Kuba është një shtet paqedashës dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Së fundmi, Trump, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse do të shqyrtonte mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake për “çlirimin” e Kubës, deklaroi: “Dua ta përfundoj punën me Kubën para se të largohem”. Ai e përshkroi vendin si një shtet në gjendje shumë të keqe.
Presidenti kuban kritikoi deklaratat e politikanëve amerikanë për veprime të mundshme ushtarake kundër Kubës, pa e përmendur drejtpërdrejt Trumpin. Deklaratën e bëri gjatë shënimit të Ditës Kombëtare të Mbrojtjes, ku morën pjesë përfaqësues të lartë ushtarakë dhe zyrtarë të Partisë Komuniste.
Kuba zhvillon rregullisht stërvitje ushtarake dhe aktivitete për përgatitjen e popullsisë civile për mbrojtje, veçanërisht pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë në janar, gjatë të cilit presidenti Nicolás Maduro u arrestua dhe u dërgua në Shtetet e Bashkuara.


