Qeveria e Kosovës dhe aktorë të ndryshëm në Kosovë kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale lidhur me dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë, raporton Anadolu.
Në një komunikatë për media, Qeveria ka thënë se kritikat dhe rezervat që kanë shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë.
“Kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagim.
Tutje, Qeveria thekson se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato.
“Angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në reagim.
Vendimi i Gjykatës Speciale për Thaçin dhe të tjerët më 17 nëntor u kundërshtua edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së).
Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së tha se i gjithë procesi gjyqësor ka qenë i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, duke pretenduar se në asnjë vendim të kësaj gjykate nuk është bërë drejtësi.
“Dënimi i Thaçit është i papranueshëm për ne, siç ka qenë i gjithë procesi i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, me kundërshtimet që nga krijimi, dhe gjithë këtë proces që e kemi përcjellë, vetëm në fakt është argumentuar që kjo gjykatë në asnjë rrethanë, në asnjë moment dhe në asnjë vendim nuk ka ndodhur drejtësi. E argumentoj edhe sot që është gjykatë politike dhe marr të drejtën të them që adresa e kësaj gjykate është në Serbi dhe Rusi”, theksoi Jashari.
Ai ka kritikuar edhe BE-në dhe shtetet që financojnë Gjykatën Speciale, duke kërkuar reagim ndaj vendimeve të saj.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka quajtur të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Speciale ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë.
Ajo në rrjete sociale ka shkruar se nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë.
“Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë. Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate”, ka thënë ajo.
Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur një aksion simbolik pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, duke akuzuar Gjykatën Speciale për standarde të dyfishta ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.
Çlirim Haziri nga kjo platformë ka ngritur pyetjen se si është e mundur që krimineli serb, Vojisllav Sheshel, të dënohet më pak se Hashim Thaçi.
“Drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe as të zbatohet me standarde të ndryshme, varësisht nga historia apo kombësia. Rasti i Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore të njeriut”, ka thënë ai.
Ish-presidenti Hashim Thaçi u shpall fajtor dhe u dënua me 17 muaj burgim nga Gjykata Speciale për akuzat se pengoi në administrimin e drejtësisë së kësaj gjykate gjatë vitit 2023.


