Kirurgu që operoi mbi 100 pacientë në Gaza fiton një vend në Kongresin Amerikan

Kirurgu amerikan me origjinë egjiptiane, Adam Hamawy, ka fituar zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, duke u bërë myslimani i parë nga shteti i Nju Xhersit që zgjidhet në Kongres.

Hamawy, kandidat i Partisë Demokratike, mposhti republikanin Gregg Mele në distriktin e 12-të kongresional të Nju Xhersit. Ai do të pasojë kongresmenen në largim Bonnie Watson Coleman.
Hamawy është kirurg plastik dhe ish-kirurg ushtarak amerikan. Ai mori vëmendje ndërkombëtare për angazhimin e tij humanitar në Gaza, ku shkoi si vullnetar për të trajtuar të plagosurit gjatë luftës. Gjithashtu, ka marrë pjesë në misione mjekësore në disa vende të botës.

Gjatë fushatës zgjedhore, ai u shpreh kundër ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin dhe kërkoi ndryshime në politikën e Uashingtonit ndaj luftës në Gaza.
Fitorja e tij shënon një moment historik për përfaqësimin mysliman në politikën federale të Nju Xhersit.