Thellimi i bashkëpunimit bilateral, forcimi i lidhjeve ekonomike dhe tregtare, mbështetja për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian ishin temat kryesore të takimit të sotëm në Shkup ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministrit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesit të OSBE-së, Ignazio Cassis.
Mucunski theksoi se vizita ka rëndësi të dyfishtë, pasi përveç çështjeve bilaterale, në fokus është edhe roli i Cassis si kryesues i OSBE-së.
“Me ministrin Cassis biseduam për thellimin e bashkëpunimit bilateral me theks të veçantë në tregti, ekonomi dhe investime. Vlerësuam se ekzistojnë mundësi të konsiderueshme për forcimin e lidhjeve ekonomike përmes bashkëpunimit më të madh mes komuniteteve të biznesit dhe partneriteteve të reja në disa fusha. Qëllimi është që bashkëpunimi ekonomik të bëhet një shtyllë edhe më e fuqishme e marrëdhënieve dhe të krijojë mundësi bashkëpunimi edhe për qytetarët”, deklaroi Mucunski.
Lidhur me integrimin evropian, ai ritheksoi përcaktimin e vendit për të ardhmen evropiane dhe tha se me Cassis kanë diskutuar për procesin reformues dhe synimin strategjik të Maqedonisë së Veriut, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Me kolegun Cassis u pajtuam se realiteti i ri gjeopolitik kërkon më shumë lidership, solidaritet dhe unitet. Në kohë ndryshimesh serioze globale na nevojiten parashikueshmëri, përgjegjësi dhe partneritete të fuqishme. Vetëm kështu mund të ruajmë paqen dhe prosperitetin në kontinentin evropian”, tha Mucunski.
Nga ana e tij, Cassis theksoi se Zvicra ka marrëdhënie të shkëlqyera me Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia e saj, edhe pse kjo është vizita e tij e parë në vend gjatë nëntë viteve si ministër.
Ai veçoi tre aspekte kryesore të bashkëpunimit: dimensionin njerëzor dhe diversitetin, bashkëpunimin ekonomik, si dhe stabilitetin dhe integrimin evropian.
Cassis falënderoi Maqedoninë e Veriut për solidaritetin dhe ndihmën e ofruar pas tragjedisë në Kran-Montana më 1 janar të këtij viti, duke theksuar se mbështetja maqedonase ishte ndër të parat që mbërritën pas ngjarjes.
Ai shprehu mirënjohje edhe për kontributin e diasporës maqedonase në Zvicër, e cila sipas tij numëron pothuajse 100.000 persona, duke vlerësuar rolin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Cassis kujtoi vizitën e presidentit të Konfederatës Zvicerane dhe ministrit të Ekonomisë, Guy Parmelin, në prill të këtij viti, e cila kontribuoi në krijimin e Odës Ekonomike Zvicër – Maqedonia e Veriut.
“Marrëdhëniet ekonomike janë gjëja më e rëndësishme që duhet zhvilluar, sepse aty ku kalon malli nuk kalon arma”, deklaroi Cassis.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e programit të bashkëpunimit zhvillimor për periudhën 2025-2028, përmes të cilit Zvicra mbështet reformat në vend, me synim orientimin e ndihmës drejt zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe nxitjes së investimeve.
Sa i përket stabilitetit dhe integrimit evropian, Cassis theksoi se prosperiteti i Ballkanit Perëndimor është prioritet për Zvicrën dhe për rajonin e OSBE-së, duke riafirmuar mbështetjen për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Ai nënvizoi se OSBE-ja mund të ndihmojë në procesin e integrimit evropian dhe në lehtësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, përfshirë edhe dialogun me Bullgarinë, përmes misionit të saj në vend.
“Ne duam të ruhet besimi, sepse pa besim nuk ka siguri, ndërsa pa siguri nuk ka prosperitet. Këto janë tre konceptet që Zvicra i ka zgjedhur si slogan për OSBE-në”, tha Cassis.
Duke komentuar situatën globale të sigurisë, ai vlerësoi se bota po kalon një periudhë të paqëndrueshmërisë së madhe gjeopolitike dhe ndryshimeve të thella historike, ndërsa organizata si OSBE duhet të dëshmojnë se mund të kontribuojnë në zgjidhjen e krizave dhe jo vetëm të shërbejnë si forum diskutimi.
Në fund, Cassis bëri thirrje për ruajtjen e dialogut si mjeti kryesor për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë luftën në Ukrainë.
“Fatkeqësisht, dialogu nuk është i lehtë për t’u arritur. Nuk është e vështirë vetëm sepse Rusia nuk është afër kompromisit, por edhe sepse as pala tjetër nuk është afër kompromisit. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike që do t’i japë fund luftës”, përfundoi shefi i diplomacisë zvicerane.


