Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se bashkëpunimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, karakterizohet nga një komunikim më i afërt i cili sipas tij ka mundësuar realizimin e disa projekteve të rëndësishme mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Duke folur në emisionin “Verdict” në TVM2, Kasami bëri të ditur se rruga Shkup–Prishtinë tashmë është në fazën e realizimit, ndërsa për projektin e rrugës Tetovë–Prizren janë në fazë të avancuar të bisedimeve.
“Me kryeministrin Albin Kurti kemi një komunikim shumë më të afërt, me çka kemi realizuar shumë projekte. Rruga Shkup–Prishtinë veçmë është në realizim e sipër, jemi në fazën e avancuar të bisedimeve për rrugën Tetovë–Prizren”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Kosovën nuk kufizohet vetëm në infrastrukturë, por përfshin edhe projekte në fushën e energjetikës, me synim rritjen e sigurisë energjetike dhe lidhjen më të mirë mes dy vendeve.
Sipas Kasamit, në këtë drejtim janë zhvilluar komunikime për furnizimin me thëngjill të kapaciteteve termoenergjetike, ndërtimin e largpërçuesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe projektin e linjës së gazit që do të lidhë edhe Kosovën.
“Ajo që u bë dje me Shqipërinë, me Kosovën është realizuar shumë më herët. Realizimi i projekteve në fusha të ndryshme, komunikimi në rrafshin e energjetikës ka qenë të kemi siguri energjetike me thëngjillin për kapacitetet tona termoenergjetike, komunikim të avancuar në ndërtimin e largpërçuesit mes Maqedonisë dhe Kosovës, linjën e gazit që do të lidhë edhe Kosovën në projektin. Dje treguam se 22 Nëntori nuk është vetëm një festë simbolike e Alfabetit që na bashkon, por na bashkoi me projekte konkrete në shërbim të të gjithë qytetarëve”, tha Kasami.


