Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka publikuar disa nga aktivitetet e realizuara gjatë kësaj jave nga Ndërmarrja Komunale Publike „Vardar“, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të ndërmarrjes në mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe përmirësimin e shërbimeve komunale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Jahiji ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e ekipeve të ndërmarrjes, duke theksuar se çdo ndërhyrje kontribuon në krijimin e një ambienti më të pastër, më të rregullt dhe në përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.
Ai ka nënvizuar se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me ritëm dhe përgjegjësi, me synimin që puna e përditshme të sjellë rezultate konkrete për komunën dhe banorët e saj.



