Itali/ Grevë e përgjithshme në të gjithë vendin, protesta në mbi 100 qytete! Ndërprerje në transportin publik, arsim e shëndetësi

Italia është përfshirë këtë të premte nga një grevë e përgjithshme dhe protesta masive në qytetet kryesore të vendit, ku punonjës dhe studentë kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime në modelin social dhe ekonomik.

Greva është organizuar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), ndërsa në mbi 100 qytete janë organizuar marshime dhe aktivitete proteste. Në krah të punonjësve dhe studentëve janë edhe drejtues të forcave politike të së majtës, mes tyre Elly Schlein e Partisë Demokratike (PD), Giuseppe Conte i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S) dhe Nicola Fratoianni i Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës (AVS).

Sekretari i përgjithshëm i CGIL-it, Maurizio Landini, do të mbajë fjalimin e tij në Romë, ndërsa greva do të zgjasë gjatë gjithë ditës dhe do të përfshijë sektorin publik dhe atë privat.

Përveç CGIL-it, në protesta janë përfshirë edhe sindikatat e bazës, përfshirë COBAS, të cilat kanë shpallur një grevë të veçantë. Paralelisht zhvillohet edhe Dita Ndërkombëtare e Mobilizimit të Studentëve, ku në Itali janë bashkuar dhjetëra organizata rinore, me aktivitete në mbi 45 qytete.

Sipas Landinit, kërkesa që bashkon protestuesit është ndryshimi rrënjësor i modelit aktual social dhe ekonomik, duke vendosur në qendër paqen dhe luftën kundër rritjes së kostos së jetesës.

Arsimi dhe shëndetësia

Ndërprerjet më të mëdha priten në sektorin e arsimit. Funksionimi i shkollave do të varet nga niveli i pjesëmarrjes së mësuesve dhe personelit tjetër në grevë. Për këtë arsye, prindërve u është kërkuar të verifikojnë paraprakisht nëse institucionet arsimore do të jenë të hapura.

Edhe në sistemin shëndetësor priten probleme në ofrimin e shërbimeve, me anulime të mundshme të vizitave mjekësore, ekzaminimeve të planifikuara dhe ndërhyrjeve kirurgjikale jo urgjente.

Transporti publik

Në sektorin e transportit publik, pas ndërhyrjes së Komisionit për Garancinë e Grevave, disa kompani janë përjashtuar nga greva. Mes tyre janë ATM në Milano, ATVO në Venecia, GTT në Torino, SAD në Bolzano, Trentino Trasporti në Trento, ANM në Napoli dhe AMTAB në Bari.

Në qytetet e tjera, autobusët, tramvajet dhe metrotë do të preken nga ndërprerjet 24-orëshe, duke respektuar oraret e shërbimit.

Sipas njoftimeve, ndërprerjet janë parashikuar në këto orare:

Gjenova: nga ora 09:00 deri në 17:30 dhe nga ora 20:30 deri në përfundim të shërbimit.

Bolonja: nga ora 08:30 deri në 16:30 dhe nga ora 19:30 deri në fund të ditës.

Firence: nga ora 08:15 deri në 12:30 dhe nga ora 14:30 e në vazhdim.

Roma: nga ora 08:30 deri në 17:00 dhe nga ora 20:00 deri në përfundim të shërbimit.

Palermo: nga ora 08:30 deri në 17:30 dhe nga ora 20:30 e në vazhdim.

Ndërkohë, sektori ajror dhe ai hekurudhor janë përjashtuar nga greva e sotme, me qëllim shmangien e ndërprerjeve të njëpasnjëshme. Megjithatë, udhëtimet me tren mund të preken nga një tjetër grevë 24-orëshe, e shpallur nga sindikatat SGB dhe CUB, e cila nis në orën 21:00 të së premtes.

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, deklaroi në Senat se kompania Ferrovie dello Stato do të garantojë funksionimin normal të trenave gjatë së premtes, ndërsa për të shtunën parashikohet të qarkullojë 95% e trenave me shpejtësi të lartë dhe 85% e trenave Intercity.

Paradat

Në Milano janë planifikuar disa marshime: një marshim studentor dhe një marshim sindikal në mëngjes, ndërsa qendrat dhe grupet sociale do të mobilizohen nga ora 17:30. “Njerëzit po tregohen vigjilentë, por nuk kemi shenja shqetësimi”, thotë kryebashkiaku Beppe Sala , ndërsa Presidenti Rajonal Attilio Fontana nuk e fsheh “shqetësimin ” e tij, duke pasur parasysh trazirat në demonstratat e 17 dhe 18 tetorit.

Riccardo De Corato (FdI) gjithashtu përmend këtë shqetësim, duke shprehur alarm për “marshimin që fillon nga Largo Cairoli, i cili pritet të përfshijë të ashtuquajturin brez Maranza”.

Tre marshime janë planifikuar në Romë: një nga CGIL, një nga USB, duke filluar nga Universiteti Sapienza, dhe një nga studentët, të cilët gjithashtu do të mblidhen në Sapienza. Policia ka hartuar një plan sigurie. Landini duket më pak i shqetësuar nga të gjithë: “Do të jetë një ditë e bukur, me sheshet plot.”/ Corriere della Sera