Irani ka bërë të ditur se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të pranojnë plotësisht dhe të zbatojnë shtatë kushtet e vendosura nga Teherani.
Në të njëjtën kohë, autoritetet iraniane i kanë dërguar një paralajmërim të ashpër Uashingtonit, duke theksuar se çdo sulm i ri ushtarak do të pasohet nga kundërpërgjigje të fuqishme.
Kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, deklaroi se përgjigjja amerikane ndaj kërkesave të vendit të tij nuk është e kënaqshme. Ai këmbënguli se rihapja e kësaj rruge strategjike detare kërkon angazhime konkrete dhe jo thjesht garanci.
Qëndrimi i ri i udhëheqjes iraniane vjen në një kohë kur po zhvillohen përpjekje intensive diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit me SHBA-në, ndërsa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit vijon të jetë një nga pikat kryesore të përplasjes mes dy vendeve.
Mohsen Rezaei deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë qartësisht të gjitha kërkesat iraniane dhe, mbi të gjitha, t’i zbatojnë ato, përpara çdo ndryshimi të statusit të Ngushticës së Hormuzit.
“Përgjigjja e SHBA-së ndaj të drejtave dhe kërkesave të Iranit nuk ishte bindëse”, u shpreh zyrtari iranian.
“Ata duhet t’u përgjigjen plotësisht dhe shprehimisht shtatë kushteve të Iranit dhe t’i përmbushin ato. Vetëm atëherë Ngushtica e Hormuzit do të rihapet”, theksoi ai.
Sipas informacioneve të bëra publike mbi kushtet e Teheranit, Irani kërkon përfundimin e plotë të armiqësive në Lindjen e Mesme, heqjen e sanksioneve ekonomike, veçanërisht atyre që prekin sektorin e naftës, si dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.


