Google investon 17 miliardë $ për qendrën e parë të të dhënave në shtetin amerikan të Wyomingut

Gjigandi amerikan i teknologjisë Google ka njoftuar një investim afatgjatë prej 17 miliardë dollarësh për ndërtimin e qendrës së parë të të dhënave në shtetin e Wyomingut, në SHBA.

Projekti do të realizohet në Qarkun Laramie, në bashkëpunim me kompanitë Tallgrass Energy, Black Hills Energy, American Electric Power (AEP) dhe Related Digital.

Një nga elementet kryesore të këtij projekti është ndërtimi i një impianti energjetik me kapacitet prej 702 megavatësh, i cili do të përdorë teknologjinë e qelizave të karburantit dhe sistemin për kapjen dhe ruajtjen e karbonit (CCS). Ky konsiderohet projekti më i madh i planifikuar i këtij lloji.

Qelizat e karburantit me gaz natyror do të prodhohen në SHBA nga kompania Bloom Energy, ndërsa Tallgrass do të jetë përgjegjëse për ruajtjen afatgjatë të emetimeve të karbonit të kapura në Qendrën e Sekuestrimit të Wyomingut Lindor.

Me këtë marrëveshje, kapaciteti i përgjithshëm i kontraktuar nga Google për projekte të kapjes dhe ruajtjes së karbonit arrin në afro 1 gigavat.

Kompania ka bërë të ditur se qendra e re e të dhënave do të përdorë sistem ftohjeje me ajër, me qëllim minimizimin e konsumit të ujit dhe mbrojtjen e burimeve lokale ujore. Furnizimi me energji elektrike do të sigurohet nga gjeneratorët me gaz natyror të operuar nga Tallgrass dhe Black Hills Energy.

Sipas Google, investimi pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin, duke gjeneruar qindra miliona dollarë të ardhura nga taksat lokale të pronës për Qarkun Laramie dhe Distriktin Shkollor 1.