Një anije cisternë që mund të transportonte deri në 7 mijë tonë naftë është fundosur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth 46 kilometra larg ishullit të Ibizës në Spanjë.
Bëhet fjalë për anijen cisternë “Med Emre”, me flamur maltez, e cila ishte nisur nga Algecirasi drejt Barcelonës. Sipas Departamentit të Brendshëm të Ishujve Balearikë, anija mund të transportonte deri në 7 mijë tonë naftë.
Gjashtë anëtarë të tjerë u dërguan në dy spitale, pasi kishin pësuar dëmtime të lehta shëndetësore, kryesisht për shkak të hipotermisë. Pesë të tjerë u transportuan drejt Valencias, ndërsa pesë pjesëtarë të ekuipazhit, në gjendje të mirë shëndetësore, qëndruan në bordin e një anijeje shpëtimi.
Pas fundosjes, autoritetet spanjolle aktivizuan planin kombëtar të emergjencës për ndotjen detare në nivelin 2, i dyti më i lartë. Në zonë u dërgua anija e specializuar “Clara Campoamor”, e pajisur për ndërhyrje në rastet e derdhjes së naftës, si dhe një avion për monitorimin e hapësirës detare. Në operacionin e shpëtimit morën pjesë edhe tre helikopterë dhe anije tregtare që ndodheshin pranë vendngjarjes.
Shqetësimi kryesor i autoriteteve lidhet me pasojat e mundshme mjedisore, pasi ujërat në verilindje të Ibizës janë habitat i breshkave detare, delfinëve dhe shpendit detar “Balearic shearwater”, një nga speciet më të rrezikuara në Evropë. Në këtë zonë ndodhen gjithashtu livadhe të gjera nënujore të bimës Posidonia oceanica, e cila luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit detar.
Qeveria rajonale e Ishujve Balearikë po mbledh informacione për të vlerësuar rrethanat e aksidentit dhe pasojat e mundshme, përpara se të vendosë për masat e mëtejshme.


