Frutat në Japoni shndërrohen në produkte luksi, mollë që kushtojnë deri në 80 euro dhe pjepra me vlerën e një makine

Në Japoni, frutat nuk janë thjesht produkte ushqimore që konsumohen çdo ditë, por ato mund të shndërrohen edhe në dhurata luksoze, simbole prestigji dhe shprehje respekti ndaj personave me status të lartë shoqëror, sipas Tgcom24.

Ndryshe nga Italia, ku frutat zakonisht blihen për konsum të përditshëm ose shërbehen në fund të një vakti, në Japoni ato mund të ofrohen si dhurata për eprorët, klientët e rëndësishëm apo edhe kryeministrin e vendit.

Tregu japonez i frutave luksoze ka regjistruar së fundmi një tjetër rekord.

Në një ankand të zhvilluar në Hakodate, në ishullin verior të Hokaidos, një kuti me shtatë mollë të varietetit Nanamitsuki, me lëkurë të verdhë dhe vija të kuqe, u shit për 100 mijë jenë, ose rreth 565 euro.

Kjo do të thotë se secila mollë kishte një vlerë prej rreth 80 eurosh.

Ky rekord vjen pas shitjeve të tjera me çmime të jashtëzakonshme, përfshirë dy pjepra të shitur me një çmim të krahasueshëm, me atë të një makine të vogël dhe një kuti me qershi që arriti vlerën prej 140 eurosh për njësi.

Për konsumatorët në shumë vende evropiane, ku frutat zakonisht blihen me kilogramë dhe shpesh zgjidhen sipas ofertave më ekonomike, këto çmime mund të duken të pabesueshme.

Në Japoni, megjithatë, disa fruta trajtohen pothuajse si bizhuteri, përzgjidhen me kujdes, paketohen në kuti elegante dhe shiten në dyqane të specializuara.

Pse frutat kushtojnë kaq shumë në Japoni?

Çmimet e larta nuk lidhen vetëm me shijen apo cilësinë e produkteve.

Ato janë rezultat i disa faktorëve që ndërthurin traditën, kulturën dhe mënyrën e prodhimit.

Një prej arsyeve kryesore është kultura e dhuratave.

Në shoqërinë japoneze, frutat e përzgjedhura me kujdes konsiderohen dhurata me vlerë të veçantë dhe përdoren për të shprehur respekt, mirënjohje dhe vlerësim ndaj personave të tjerë.

Një tjetër faktor është kërkimi i përsosmërisë.

Prodhuesit synojnë që çdo frut të ketë formë, madhësi, ngjyrë dhe pamje sa më të njëtrajtshme.

Për këtë arsye, përzgjedhja është shumë e rreptë dhe vetëm ekzemplarët që plotësojnë standardet më të larta, mund të shiten në kategorinë e frutave luksoze.

Gjithashtu, procesi i prodhimit kërkon shumë kujdes dhe shpenzime, duke e kthyer çdo frut të përzgjedhur në një produkt pothuajse unik.

Kështu, në Japoni, vlera e një fruti nuk përcaktohet vetëm nga ajo që ofron për t’u ngrënë, por edhe nga cilësia, apo se sa i rrallë mund të jetë, paraqitja dhe prestigji që përfaqëson si dhuratë.