Franca është përfshirë nga protesta të dhunshme në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Rreth 1.6 milionë persona kanë marshuar në protestat masive që përfshinë Francën, sipas shifrave të publikuara nga sindikatat franceze.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme franceze jep shifra dukshëm më të ulëta, duke raportuar afro 600 mijë pjesëmarrës në demonstratat e zhvilluara në të gjithë vendin deri në orën 17:00.
Në fokus të pakënaqësisë janë rritja e kostos së jetesës, pagat e pamjaftueshme, kushtet e punës dhe arsimi.
Shifrat u rritën ndjeshëm në orët në vijim, duke reflektuar përhapjen e protestave në dhjetëra qytete franceze.
Situata më e tensionuar është regjistruar në Lion dhe Renë, ku demonstratat janë shoqëruar me përplase mes protestuesve dhe policisë. Në Lion, një automjet është përfshirë nga flakët pranë, ndërsa grupe të identifikuara janë konfrontuar me forcat e rendit.
Edhe në Renë janë raportuar incidente, pasi disa persona të maskuar janë përplasur me policinë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka njoftuar angazhimin e rreth 70 mijë efektivëve të policisë në të gjithë vendin, duke paralajmëruar një reagim të ashpër ndaj çdo akti dhune.
Greva ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në transportin publik, shkolla dhe spitale. Kulla Eiffel dhe disa ambiente ekspozimi të muzeut të Luvrit në Paris janë mbyllur për vizitorët.
Sipas Ministrisë së Arsimit, rreth 16 % e mësuesve i janë bashkuar grevës.
Qeveria franceze ka tentuar të zbusë pakënaqësinë përmes disa masave, përfshirë lirimin e 10 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike për të ndikuar në uljen e çmimeve të karburanteve.
Por pakënaqësia ka vijuar. Lëvizja e jelekverdhëve, e cila disa vite më parë tronditi Francën me protesta masive kundër rritjes së kostos së jetesës, ka bërë thirrje për bllokime rrugësh dhe demonstrata të tjera edhe gjatë ditëve në vijim.


