Forumi i Grave i VLEN-it kërkon drejtësi të paanshme për viktimat e dhunës ndaj grave!

Ndaj rastit në Manastir, ku një dhunues ndaj një vajze në Ohër, pasi kishte ikur nga stacioni policor, ishte kthyer sërish, kanë reaguar nga Forumi i Grave i VLEN-it. Nga atje kërkojnë drejtësi të paanshme për viktimat e dhunës ndaj grave.

Reagimi i plotë:

Forumi i Grave i VLEN-it shpreh indinjatë për rastet gjithnjë e më të shpeshta të veprave të rënda të dhunës ndaj grave, disa prej të cilave, fatkeqësisht, kanë përfunduar edhe me pasoja fatale.

Në shenjë respekti për viktimën e fundit të dhunës, nuk dëshirojmë që vuajtjet e saj të politizohen. Vajzës së dhunuar nga Ohri i urojmë shërim sa më të shpejtë fizik dhe psikologjik nga traumat e përjetuara. Gjithashtu, shprehim shpresën që familja e saj të gjejë forcën për t’u përballur me të gjitha vështirësitë.

Si gra, shumë prej nesh edhe prindër të fëmijëve të mitur, dëshirojmë t’u përcjellim një mesazh organeve të ndjekjes dhe pushtetit gjyqësor.

Nëse sistemi shmang ndëshkimin e duhur të sjelljeve të dhunshme, për çfarëdo arsyeje, atëherë drejtësia selektive rrezikon ta çojë shoqërinë drejt vetëgjyqësisë, ku të afërmit e viktimës mund të ndihen të detyruar të ndërmarrin veprime për të kërkuar vetë drejtësi për fëmijën e tyre.

Alarmi është dhënë. Si shoqëri nuk duhet të lejojmë që asnjë prind të vihet në një gjendje të tillë të rëndë emocionale, sa të ndihet i detyruar të ndërmarrë hapa prej të cilëve nuk ka kthim prapa.

Jemi të vetëdijshme se prindërit shpesh nuk i shohin dhe nuk i pranojnë gabimet e fëmijëve të tyre, por dhuna ndaj grave, si gjinia fizikisht më e pambrojtur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë justifikim.

Drejtësia duhet të shkojë deri në fund, pa kalkulime dhe pa tentativa për të bërë pazare përmes ndikimit politik.