Faton Ahmeti uron 22 Nëntorin: Një gjuhë na bashkon, një histori na lidh dhe një identitet na bën krenarë!

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Faton Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, duke theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe rolin e gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në mesazhin e tij, Ahmeti rikujton se Kongresi i Manastirit, i mbajtur në vitin 1908, përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, pasi bashkoi shqiptarët rreth një alfabeti të përbashkët.

Duke cituar vargjet e njohura të poetit Ndre Mjeda, “Geg’ e Toskë, Malci jallia, Jan’ nji komb, m’u da s’duron”, Ahmeti përcjell mesazhin e unitetit kombëtar përmes gjuhës shqipe.

Ai vlerëson kontributin e atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi dhe shumë të tjerë, të cilët me vizionin dhe përkushtimin e tyre hodhën themelet e zhvillimit kulturor, arsimor dhe kombëtar.

Sipas Ahmetit, në periudhat më të vështira historike, shqiptarët dëshmuan forcë, guxim dhe unitet, ndërsa sot mbetet përgjegjësi e çdo brezi që gjuhën shqipe ta ruajë, ta kultivojë dhe ta përcjellë te brezat e ardhshëm.

“Një gjuhë na bashkon, një histori na lidh dhe një identitet na bën krenarë!”, është mesazhi me të cilin nënkryetari i BDI-së, Faton Ahmeti, përmbyll urimin e tij me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip.