Presidenti i Izraelit mandatoi liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve, një detyrë që pritet të përballet me sfida.
Në një postim në X, Eisenkot shkroi: “Tani është koha për të formuar një qeveri kombëtare emergjence. Do të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që jemi të denjë.”
Partia e krahut të djathtë “Likud” e Netanyahut, së bashku me aleatët e saj të ekstremit të djathtë dhe ata ultraortodoksë hebrenj, fituan 53 vende në Knessetin me 120 vende. Ndërkohë, partia e qendrës “Yashar” e Eisenkotit, së bashku me tri parti të tjera opozitare hebraike në bllokun e tij, fituan 48 vende.
Eisenkot ka refuzuar të bashkojë forcat me partitë arabe, mbështetja e të cilave do t’i siguronte atij një shumicë mandatesh në parlament. Ra’am ka thënë se do ta votojë një qeveri të Eisenkotit edhe pa qenë pjesë e marrëveshjes, ndërsa Lista e Përbashkët nuk do të votojë në favor të një qeverie të tillë, por as nuk do të veprojë për ta rrëzuar atë.
Kreu i Yashar do të ketë 28 ditë në dispozicion për të formuar një qeveri të re, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh.
Nëse Eisenkot dështon, një kandidat tjetër mund të përpiqet të formojë qeverinë; nëse edhe ai dështon, parlamenti mund të propozojë dikë tjetër. Për këtë proces ekziston një afat prej rreth 100 ditësh. Nëse askush nuk ia del, mbahen zgjedhje të reja.


