“E kishte mbajtur Liridonën për krahu gjatë vrasjes”, aktgjykimi i plotë: Këto janë arsyet që apeli ia vërtetoi burgimin e përjetshëm Naim Murselit

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm Naim Murselit për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. Në aktgjykimin prej 31 faqesh, të cilin e ka siguruar Nacionale, Apeli ka shtjelluar arsyet për të cilat ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Murselit.

Mllefi ndaj bashkëshortes, hakmarrja, përfitimi financiar, planifikimi i vrasjes dhe sjellja pas krimit janë ndër rrethanat e trajtuara nga gjykata.

Me aktgjykimin e datës 29 tetor 2026, Apeli ia ka vërtetuar burgimin e përjetshëm edhe Granit Plavës, ndërsa Kushtrim Kokallës dënimin prej 30 vjetësh burgim.

Mllefi, hakmarrja dhe tre milionë kruna suedeze.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata e Apelit ka trajtuar motivet që e kishin shtyrë Naim Murselin drejt vrasjes së bashkëshortes së tij.

Sipas gjykatës, raportet e çrregulluara bashkëshortore kishin shkaktuar mllef dhe dëshirë për hakmarrje te Murseli.

Krahas kësaj, gjykata ka evidentuar edhe motivin financiar.

Bëhej fjalë për sigurimin jetësor të Liridona Ademajt, në vlerë prej tre milionë krunash suedeze, në kompaninë e sigurimeve “Folksam”.

Sipas aktgjykimit, Murseli fillimisht i kishte kërkuar Kushtrim Kokallës që t’ia vriste bashkëshorten.

Kokalla kishte refuzuar ta kryente vetë vrasjen, por më pas kishte gjetur Granit Plavën, të cilit i ishte premtuar një shpërblim prej 30 mijë eurosh.

Premtimet nuk përfundonin me kaq.

Sipas gjykatës, Plavës i ishin premtuar edhe ndihmë financiare për mbajtjen e familjes, punësim dhe shpërblime pas daljes nga burgu.

Murseli e kishte mbajtur Liridonën për krahu gjatë vrasjes

Një nga konstatimet më të rënda të aktgjykimit lidhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Murselit në vrasjen e bashkëshortes.

Sipas Apelit, Murseli nuk ishte vetëm organizatori i vrasjes, por edhe bashkëkryerës i saj.

Gjykata ka konstatuar se Murseli e kishte mbajtur Liridonën për krahu derisa Granit Plava kishte shtënë me armë zjarri.

Në mbështetje të këtij konstatimi, gjykata i është referuar edhe ekspertizës mjekoligjore, e cila kishte evidentuar ndrydhje në krahun e viktimës.

Apeli ka hedhur poshtë pretendimet për një doras të paidentifikuar, si dhe versionin e Granit Plavës se Murseli kishte shtënë me armë.

Argëtimi pas vrasjes, pa shfaqur dhimbje për Liridonën

Gjykata e Apelit i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe sjelljes së të dënuarve pas vrasjes së Liridona Ademajt.

Në faqen 29 të aktgjykimit, gjykata përmend se të akuzuarit kishin vazhduar aktivitetet e tyre të argëtimit, duke frekuentuar lokale pas kryerjes së krimit.

Këtë e kishin bërë, siç shkruan gjykata, “pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”.

Edhe kjo sjellje është marrë parasysh gjatë vlerësimit të rrethanave rënduese që përcaktuan lartësinë e dënimit.

Gjykata ka theksuar planifikimin paraprak të vrasjes, pambrojtshmërinë e viktimës dhe faktin se asaj i ishte marrë jeta në prani të dy fëmijëve.

Pse Apeli refuzoi zbutjen e dënimit për Murselin?

Mbrojtja e Naim Murselit kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë ose shqiptimin e një dënimi më të butë.

Ndër argumentet e mbrojtjes ishte edhe fakti se Murseli nuk kishte qenë i dënuar më parë.

Mirëpo, për Gjykatën e Apelit, rrethanat rënduese kishin peshë shumë më të madhe sesa ato lehtësuese.

“Rrethanat lehtësuese në fjalë në raport me ato rënduese janë irelevante”, thuhet në aktgjykim.

Apeli ka konsideruar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte zbatuar drejt dispozitat ligjore gjatë përcaktimit të dënimit.

Sipas gjykatës, dënimi i shqiptuar është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprës.

Pse Kushtrim Kokalla nuk mori burgim të përjetshëm?

Prokuroria dhe përfaqësuesi i familjes së Liridona Ademajt kishin kërkuar shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm edhe ndaj Kushtrim Kokallës.

Por Apeli i ka refuzuar si të pabazuara edhe këto ankesa.

Gjykata ka arsyetuar se Kokalla ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe jo për bashkëkryerje.

Për këtë arsye, sipas Apelit, dispozitat ligjore parashihnin shqiptimin e një dënimi më të butë ndaj tij sesa ndaj kryerësve të vrasjes.

Kundër aktgjykimit të Apelit, palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda 30 ditësh nga pranimi i tij.