Durmishi: Inflacioni në tetor, si pasojë e luftërave globale / Inspektorati kontrollon marzhat dhe çmimet

Treguesit e fundit ekonomikë pasqyrojnë një realitet të zymtë për familjet, të cilat çdo ditë e më shumë po e ndiejnë peshën e krizës në treg dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë. Përballë kësaj situate të tensionuar, vetë ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, pranon se presioni i tregjeve të huaja dhe pasojat e konflikteve globale po reflektohen drejtpërdrejt në çmimet e produkteve bazë dhe të lëndëve të para.

Durmishi thotë se ministria është duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat në dispozicion për të parë nëse shitësit, prodhuesit, por edhe distributorët po e keqpërdorin krizën globale.

Gjatë vizitës së tij në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, pranoi hapur se vendi po kalon një periudhë të rëndë krize dhe se vatrat e luftës në botë po rëndojnë drejtpërdrejt mbi çmimet e produkteve bazë.