Përveç eliminimit të gjuhës shqipe, në ISHP janë ngritur edhe akuza për diskriminim etnik në punësim, avancim profesional dhe trajtim të punonjësve shqiptarë. Që nga emërimi i Andonovskës, janë punësuar gjithsej 62 persona, prej të cilëve 60 maqedonas dhe vetëm dy shqiptarë. Shndërruar në shifra, del se shqiptarët në dy vitet e udhëheqjes së Andonovskës me ISHP-në, përbëjnë vetëm 3.2 për qind të punësimeve, ndërsa maqedonasit 96.8 për qind
Shkup, 10 nëntor – Pavarësisht mohimeve të drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Marija Andonovska, dokumentet zyrtare që ka siguruar gazeta KOHA tregojnë se nga fillimi i nëntorit, ka ndryshuar praktika e përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar të këtij institucioni me Ministrinë e Shëndetësisë dje institucionet tjera. Dy dokumente, nga i njëjti institucion, të së njëjtës natyrë dhe me të njëjtën nënshkruese – Marija Andonovska, por me një dallim thelbësor: në dokumentin e 27 tetorit gjuha shqipe është e pranishme, ndërsa në atë të 4 nëntorit është eliminuar nga përmbajtja e raportit.
Dokumentet e siguruara nga KOHA përgënjeshtrojnë pretendimin e Andonovskës se nuk ka urdhëruar ndërprerjen e përdorimit të shqipes në dokumentacionin zyrtar.
Raporti i datës 27 tetor 2026, i dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, përmban tekstin në të dyja gjuhët zyrtare. Bëhet fjalë për raportin javor mbi lëvizjen e sëmundjeve infektive akute në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për periudhën 15-21 tetor 2026. Ndërkaq, dokumenti i datës 4 nëntor 2026, që përcjell raportin për periudhën 22-31 tetor, është përpiluar vetëm në gjuhën maqedonase, me përjashtim të emërtimit dygjuhësh të institucionit në krye të shkresës.

Pra, në harkun e vetëm tetë ditëve, shqipja është zhdukur nga përmbajtja e komunikimit zyrtar të ISHP-së me Ministrinë e Shëndetësisë. Ndryshimi i papritur i praktikës gjuhësore ka shkaktuar reagime edhe brenda Ministrisë së Shëndetësisë, institucion me të cilin ISHP bashkëpunon drejtpërdrejt dhe të cilit i dorëzon rregullisht raporte mbi gjendjen epidemiologjike në vend. Burime nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë për gazetën KOHA se dokumentet, të cilat më parë dërgoheshin në dy gjuhë, nga fillimi i nëntorit kanë nisur të mbërrijnë vetëm në maqedonisht.
“Përnjëherë raportet zyrtare nga ISHP na vijnë vetëm në maqedonisht, sapo erdhi nëntori. Kjo çështje është diskutuar edhe në kolegjium, por ende nuk kemi marrë ndonjë vendim”, thonë për KOHA burime nga Ministria e Shëndetësisë.
Kjo dëshmi, e kombinuar me dokumentacionin që disponon redaksia KOHA, tregon se nuk bëhet fjalë thjesht për një gabim teknik në një shkresë të vetme, por për një ndryshim të qëllimshëm të praktikës institucionale. Veçanërisht domethënës është fakti se ndryshimi ka ndodhur menjëherë pas zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, ku VMRO-DPMNE pësoi humbje.
Çështja e përjashtimit të gjuhës shqipe nga dokumentacioni i ISHP-së u ngrit një ditë më parë edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, në një konferencë për media prezantoi një mesazh telefonik që, sipas tij, dëshmon se drejtoresha Andonovska kishte dhënë udhëzime që dokumentet zyrtare të institucionit të përgatiteshin vetëm në gjuhën maqedonase. Sipas Hoxhës, drejtuesit e sektorëve ishin udhëzuar t’i njoftonin punonjësit se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranoheshin.
“Drejtuesit e sektorëve në ISHP janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit përmes mesazheve telefonike se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet e përgatitura në gjuhën maqedonase. Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?”, deklaroi Hoxha.

Ai paralajmëroi se mosrespektimi i gjuhës shqipe po shndërrohet në praktikë shqetësuese në institucionet shtetërore, duke akuzuar drejtues të caktuar se po marrin kompetenca që nuk u takojnë dhe po vendosin sipas vullnetit personal për zbatimin e ligjit. Por, përveç kontestit për përdorimin e gjuhës shqipe, në ISHP janë ngritur edhe akuza për diskriminim etnik në punësim, avancim profesional dhe trajtim të punonjësve shqiptarë.
Punonjës shqiptarë të institucionit, të cilët janë ankuar për trajtimin nga drejtuesja aktuale, pretendojnë se gjatë dy viteve të fundit, që nga emërimi i Andonovskës, janë punësuar gjithsej 62 persona, prej të cilëve 60 maqedonas dhe vetëm dy shqiptarë. Shndërruar në shifra, del se shqiptarët në dy vitet e udhëheqjes së Andonovskës me ISHP-në, përbëjnë vetëm 3.2 për qind të punësimeve, ndërsa maqedonasit 96.8 për qind. Edhe më shqetësues është pretendimi se gjatë këtyre dy viteve asnjë punonjës shqiptar nuk është avancuar në detyrë. (koha.mk)


