Të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet arrijnë në 440,4 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në 45 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas pritjeve, rritja ekonomike për vitin 2027 është parashikuar në 3,8 për qind, ku nxitësi kryesor duhet të jenë investimet. Për shpenzime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë.
Buxheti është i orientuar drejt konsolidimit fiskal, mbështetjes së ekonomisë, realizimit të investimeve kapitale dhe përmirësimit të shërbimeve publike.
Pjesa më e madhe e debatit dhe replikave u përqendrua te borxhi publik dhe huamarrjet.
“Cilat përfitime i ka tani shteti nga ato huamarrje konkrete që i keni bërë, dhe pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve tani janë pjesë e asaj që ju i paraqitët si shifra në fjalimin tuaj. Sa është kostoja e detyrimeve të marra nga përdorues të caktuar buxhetorë dhe ndërmarrje publike, ku janë marrë detyrime për ngritjen e kredive me plane amortizimi të miratuara paraprakisht nga Qeveria, janë nënshkruar marrëveshje për këto kredi, ndërsa kreditë nuk kanë asnjë realizim”, deklaroi Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave.
“Zëvendësministër, program i shkëlqyer marketingu, i thatë të gjitha ato që duhej t’i thoshit. Jeni këtu edhe në 10 ditët e ardhshme, mendoj se do të jeni, dhe mund ta shfrytëzoni kohën edhe atëherë për të bërë marketing. Unë nuk po ju pyes se për çfarë janë bërë investimet, ju ishit ai që gjatë verës, në rishikimin e buxhetit, na bindnit se i pari ishte social, i dyti, që të parin ta paraqitnit si bum investues. E gjithë kjo ra në ujë, sepse nuk ka realizim të projekteve, nuk ka kapacitete, ndërsa këto mjete që kanë arritur për pagesë dhe nuk janë kthyer janë përgjegjësia juaj, duhet të jepni sqarim për këtë, e jo vetëm të gjeni alibi: Qeveria e kaluar, Qeveria e kaluar”, tha Sanja Lukarevska nga LSDM.
Debati në Komision për buxhetin filloi të premten dhe zgjat 10 ditë. Nga dhjetë ditët, më së shumti katër ditë janë të parapara për shqyrtimin e përgjithshëm dhe gjashtë ditë për amendamentet. Për Propozim-buxhetin janë dorëzuar mbi 300 amendamente nga propozuesit e autorizuar.


