Cristiano Ronaldo njofton pensionimin e papritur nga Portugalia

Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund rrugëtimit të tij me Përfaqësuesen e Portugalisë.

Ylli portugez ka publikuar një video në rrjetet sociale, përmes së cilës ka lexuar një letër të gjatë dhe emocionuese, duke njoftuar se ka ardhur koha t’ia dorëzojë fanellën me numrin shtatë gjeneratave të ardhshme.

Pas 23 vjetësh me fanellën e Portugalisë, Ronaldo ka vendosur t’i japë fund një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së tij, që nisi në gusht të vitit 2003.

Në letrën e tij, 40-vjeçari theksoi se ky nuk ishte një vendim i lehtë, pasi për të përfaqësimi i vendit nuk ishte vetëm një përgjegjësi sportive, por edhe një ndjenjë e veçantë emocionale.

“Për portugezët ka ardhur dita që ta kthej fanellën numër shtatë të Përfaqësueses, atë që i përket të gjithëve ne. Ajo nuk ishte kurrë vetëm e imja, por për 23 vjet pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vesh, ta mbroj dhe ta përfaqësoj në stadiumet e gjithë botës. Sot ka ardhur koha t’ia dorëzoj të ardhmes”, shkroi Ronaldo.

Ai kujtoi momentet e bukura dhe të vështira me kombëtaren, duke thënë se përtej golave, rekordeve dhe trofeve, gjëja më e rëndësishme ishte lidhja me miliona portugezë.

“Pati fitore që nuk do t’i harroj kurrë, por edhe humbje që ende sot e kam të vështirë t’i kujtoj. Edhe unë kam dështuar, edhe unë kam vuajtur. Ka pasur momente kur nuk arrita t’u jepja portugezëve atë që dëshironin aq shumë, por kurrë nuk u dorëzova dhe, mbi të gjitha, nuk pushova së ndieri krenari që përfaqësoja Portugalinë”, u shpreh ai.

Ronaldo falënderoi bashkëlojtarët, trajnerët, stafin mjekësor dhe të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi, duke veçuar edhe familjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme.

Në fund, ai theksoi se edhe pse nuk do ta veshë më fanellën e Përfaqësueses në fushë, do të vazhdojë ta përjetojë çdo ndeshje të Portugalisë me të njëjtin emocion.

“Nuk do të pushoj kurrë së qeni njëri prej jush. Do të vazhdoj të vuaj, të emocionohem dhe të festoj çdo fitore të Portugalisë si njëri prej jush. Portugalia do të jetë gjithmonë brenda meje. Përgjithmonë”, përfundoi Cristiano Ronaldo.

Fanella me numrin shtatë mbetet pjesë e historisë së tij, ndërsa krenaria për ta përfaqësuar Portugalinë, siç thotë vetë ai, do ta shoqërojë përgjithmonë.