Cristiano Ronaldo Jr, djali i parë i 5 herë fituesit të Topit të Artë, ka marrë ftesën e parë zyrtare për të qenë pjesë e kombëtares portugeze të U17 në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe të programuara në muajin nëntor.
Sulmuesi 16 vjeçar, pjesë e Akademisë së Al Nassr, që deri tani ka shënuar 3 gola në 7 ndeshje me klubin saudit është përfshirë në listën e 23 futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Filipe Ramos pas një ecurie të shkëlqyer që Cristiano Jr pati me ekipet e tjera të moshave të Portugalisë ku në 13 ndeshje të zhvilluara në kategoritë U15 dhe U16 ka shënuar 5 gola.
Talenti i ri, që tani e thërrasin edhe Cristaninho, do të jetë bashkë me shokët e skuadrës në një miniturne kualifues që do të zhvillohet në Cidade do Futebol të Oeiras me Portugalinë që do të luajë kundër Andorrës, Bullgarisë dhe Serbisë, një miniturne që do të nisë në 11 nëntor.
Në këtë mënyrë në Portugali po forcohet gjithnjë e më shumë ëndrra e tifozëve për të parë në një të ardhme Cristiano Ronaldo Jr të luajë bashkë me babain e tij, përpara se CR7 të tërhiqet përfundimisht nga futbolli.


