Këngëtarja Rita Ora ka zgjedhur legjendën e muzikës country, Dolly Parton, si frymëzim për kostumin e saj të Halloween-it, duke tërhequr vëmendjen në një festë të organizuar në New York. Artistja 35-vjeçare mori pjesë të premten në festën e Halloween-it të organizuar nga “The Frankie Shop”, ku u shfaq me një veshje të frymëzuar nga stili karakteristik i Parton. Për të kompletuar paraqitjen, ajo rikrijoi edhe flokët ikonike bionde të këngëtares.
Paraqitja e Ritës vjen pak ditë pas pjesëmarrjes së saj në premierën e filmit të ri “Klara and the Sun”, me regji të bashkëshortit të saj, Taika Waititi, në kuadër të Festivalit të Filmit në Londër. Në tapetin e kuq, këngëtarja u shfaq me një fustan të zi, me fund voluminoz dhe një aksesor të veçantë në kokë.
Ajo u fotografua së bashku me bashkëshortin, si dhe aktoret Jenna Ortega dhe Amy Adams.

Ndërkohë, emri i këngëtares është përmendur së fundmi edhe në një çështje ligjore. Ish-menaxherja e saj, Sarah Stennett, përmes kompanisë FAE Ventures, ka ngritur padi ndaj Ritës në Gjykatën e Lartë në Londër, duke pretenduar se këngëtarja i ka borxh rreth 3.2 milionë paundë nga të ardhurat e saj.
Sipas dokumenteve gjyqësore, mosmarrëveshja lidhet me pagesat nga turnetë muzikore dhe angazhimet televizive. Një pjesë e pretendimeve ka të bëjë me të ardhurat nga turneu “Phoenix World Tour”, gjatë viteve 2019–2020.
Rita Ora dhe Sarah Stennett kishin bashkëpunuar që nga viti 2009, kur këngëtarja ishte 18 vjeçe, ndërsa bashkëpunimi i tyre profesional përfundoi në vitin 2024. Deri më tani, përfaqësuesit e këngëtares nuk kanë dhënë një përgjigje publike lidhur me pretendimet.


