Carlos Augusto, Calhanoglu dhe Thuram, te Interi është kohë rinovimesh

Calhanoglu, Carlos Augusto e Thuram janë 3 futbollistët e radhës me të cilët Interi kërkon të rinovojë kontratën, një dëshirë që e kanë edhe vetë protagonistët.

Në rastin e Calhanoglu, që aktualisht është i grumbulluar me kombëtaren turke, në javët e kaluar u krijuan dyshime për qëndrimin e tij te kampionët e Italisë, dyshime që vetë mesfushori i largoi me deklaratat e tij pas ndeshjes me Comon. Agjenti i futbollistit, Gordon Stipic është takuar me presidentin Marotta dhe Drejtorin Sportiv Baccin, takime që do të vijojnë edhe në javët në vazhdim për të mbyllur gjithçka me shumë mundësi brenda këtij viti dhe për të rinovuar kontratën e futbollistit edhe për një vit tjetër duke qenë se ajo aktuale skadon në qershor të 2027.

Tashmë është arritur marrëveshja për kohëzgjatjen, por jo për shifrat; do të jetë një pagë më e ulët se ajo aktuale prej 6.5 milionë euro, me përqindje të variablave më të artikuluara. Por në këtë pikë palët nuk janë aq larg sa mund të duket. Mosha dhe problemet fizike në 2 vitet e fundit e bëjnë Interin të tregohet më i kujdesshëm, por nuk e zbehin besimin e klubit të Calhanoglu, gjë që është thelbësore përsa i përket taktikës zikaltër.

Ndërkaq, në tryezën e Interit janë edhe dosjet e Carlos Augusto dhe Thuram. Braziliani është gati të rinovojë me Interin deri në 2031, teksa konsiderohet si një pikë e fortë e skuadrës për të tashmen dhe të ardhmen. Në rastin e Thuram, me sulmuesin francez kanë nisur kontaktet e para për një rinovim përtej viti 2028. Ideja në këtë rast është që me francezin të ndiqet e njëjta rrugë si me Lautaro Martinez