Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka bërë thirrje për bashkim të liderëve botërorë në përpjekjet për t’i dhënë fund konflikteve në Iran dhe Ukrainë, duke theksuar se luftërat po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA tregojnë rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për luftën në Iran, e cila ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve në nivel global.
“Bota ka tani një mundësi për t’u bashkuar rreth çështjes që po na prek të gjithëve, dhe ajo është kostoja e jetesës”, deklaroi Burnham.
Ai tha se do të angazhohet për çtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme, ndërsa u bëri thirrje edhe liderëve të tjerë botërorë që të ndërmarrin hapa të ngjashëm.
Burnham theksoi se lehtësimi i presionit ekonomik mbi qytetarët mbetet i vështirë përderisa vazhdojnë konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, të nisura nga Rusia.
“Vëmendja jonë tani duhet të përqendrohet pikërisht te këto çështje. Shpresoj që bota të gjejë momentin për t’u bashkuar dhe për të vepruar”, u shpreh kryeministri britanik.


