Bërvenica ia prishi hesapet pushtetit

Sipas Buçkovskit, VMRO-DPMNE-ja priste që Kasami dhe Mexhiti t’ia kthenin në Bërvenicë mbështetjen që votuesit e saj ua dhanë në Tetovë dhe Çair. Spasenovski, ndërkaq, theksoi se në fshatin e kandidatit të VLEN-it, kandidati i VMRO-DPMNE-së mori rreth 300 vota në raundin e dytë, kundrejt rreth dhjetë votave në të parin.

Fitorja e BDI-së në Bërvenicë ka hapur një debat në skenën politike vendore: a po e humb VLEN-i mbështetjen te shqiptarët dhe sa besim ka mes partnerëve qeverisës? Etiketimi i VLEN-it si “kalë troje” nga VMRO-DPMNE-ja, pas humbjes së kandidatit të saj, për ish-kryeministrin Vllado Buçkovski është tregues i dobësimit të partnerit shqiptar në Qeveri. Për profesorin Aleksandar Spasenovski, reagimi nxjerr në pah dyshimin e partisë më të madhe qeverisëse nëse VLEN-i e ka përmbushur atë që pritej prej tij.

Dy profesorët e Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, në debatin e emisionit “360 gradë” në servisin publik, dhanë lexime të ndryshme edhe për votimin në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Bërvenicës. Buçkovski vlerësoi se në përmbysjen e rezultatit ndikuan mobilizimi etnik i shqiptarëve dhe votat e diasporës. Sipas tij, VMRO-DPMNE-ja e kishte të vështirë ta përsëriste mbështetjen që kryetari i mëparshëm gëzonte si te maqedonasit, ashtu edhe te shqiptarët.

Përballë vërejtjes se Bërvenica është vetëm një komunë dhe se mbetet e diskutueshme sa përfundime më të gjera mund të nxirren nga rezultati i saj, Buçkovski tha se pret që dallimi mes BDI-së dhe VLEN-it të vazhdojë të thellohet. “Trendet janë këto. BDI-ja do të shënojë rritje, VLEN-i do të vazhdojë të bjerë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja do të ketë dy partnerë koalicioni, rejtingu i të cilëve është në nivelin e gabimit statistikor”, deklaroi Buçkovski, duke iu referuar VLEN-it dhe ZNAM-it.

Pikërisht rënia e mbështetjes, sipas tij, shpjegon pse VLEN-it nuk i përshtaten zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Megjithatë, Buçkovski sheh rrezik për partnerët më të vegjël edhe nëse koalicioni e përfundon mandatin e plotë. Sipas vlerësimit të tij, deri në zgjedhjet e rregullta, VMRO-DPMNE-ja mund t’ua konsumojë aq shumë mbështetjen politike, sa të bëhet e pasigurt nëse do të arrijnë të fitojnë mandate deputetësh.

Spasenovski, ndërkaq, vlerësoi se në Bërvenicë VLEN-i ka manovruar ndërmjet marrëveshjes së koalicionit me VMRO-DPMNE-në dhe thirrjes për mbështetjen e kandidatit shqiptar në raundin e dytë. Ai rikujtoi se pas raundit të parë, kandidati i VLEN-it ishte shfaqur në shtabin e kandidatit të BDI-së. Megjithatë, sipas Spasenovskit, rezultatet në disa vendvotime e vënë në pikëpyetje tezën se rezultati përfundimtar mund të shpjegohet tërësisht me mobilizimin etnik. Si shembull përmendi fshatin e kandidatit të VLEN-it, ku, sipas të dhënave që paraqiti, rreth 85 për qind e banorëve janë shqiptarë. Atje, kandidati i VMRO-DPMNE-së në raundin e dytë kishte marrë rreth 300 vota, kundrejt rreth njëzet votave në raundin e parë.

Në Sedllarcë të Poshtme, ku, sipas tij, rreth 95 për qind e banorëve janë maqedonas, kandidati i BDI-së në raundin e dytë kishte marrë rreth 30 deri në 40 vota, ndonëse në raundin e parë kandidatët e partive shqiptare kishin marrë vetëm nga një ose dy vota. Spasenovski i lexon këto shifra si tregues se një pjesë e votuesve të VLEN-it e kanë mbështetur kandidatin e VMRO-DPMNE-së, por edhe se një pjesë e votuesve maqedonas kanë zgjedhur kandidatin e BDI-së. “Çfarë mund të përfundojmë këtu? Se, përkundër njëfarë logjike kolektive, kanë vepruar edhe mekanizmat e ngushtë partiakë për të siguruar përparësi më të madhe ose për t’i shkaktuar dëm më të madh njërit prej dy kandidatëve. Në përgjithësi, mendoj se po vjen një periudhë e rishqyrtimit të raporteve, të marrëdhënieve ndërmjet partnerëve të koalicionit”, deklaroi Spasenovski.

Në debat u shtrua edhe mundësia nëse VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i mund të kenë pasur një mirëkuptim të heshtur që VLEN-i ta mbështeste kandidatin shqiptar, me qëllim ruajtjen e një pjese të legjitimitetit te votuesit e vet. Në këtë kontekst, Spasenovski përmendi çmimin politik që, sipas tij, VLEN-i e kishte paguar pas zgjedhjeve të mëparshme lokale në Kërçovë. Ndërsa VMRO-DPMNE-ja e kishte festuar fitoren atje si një nga sukseset e saj më të mëdha zgjedhore, në bllokun politik shqiptar ishte hapur polemika se kush mbante përgjegjësi për humbjen.

Buçkovski, megjithatë, shprehu dyshim se në Bërvenicë bëhej fjalë për një skenar të dakorduar paraprakisht. Sipas tij, që në raundin e parë ishte parë se BDI-ja kishte epërsi ndaj VLEN-it, ndërsa pritjet e VMRO-DPMNE-së nga partneri i koalicionit kishin një prapavijë konkrete politike. Ai vlerësoi se pa votat e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së në Tetovë dhe Çair, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti sot nuk do të ishin kryetarë komunash. Për këtë arsye, sipas Buçkovskit, VMRO-DPMNE-ja kishte arsye të priste që të dy të angazhoheshin për kandidatin e saj në Bërvenicë.