BDI: VLEN-i, nga mungesa e rezultateve, po e shndërron propagandën dhe shpifjen në instrument të veprimit politik

Mbrëmë, portalet e afërta me VLEN-in plasuan një shpifje, një lajm të pavërtetë lidhur me pagat e funksionarëve partiakë të BDI-së, në një përpjekje të qartë për të njollosur emrat e tyre dhe për të manipuluar opinionin publik.

Por, pas demanteve të menjëhershme dhe paralajmërimit për përgjegjësi ligjore nga ana e funksionarëve të BDI-së, ndodhi ajo që e dëshmon më së miri natyrën e këtij operacioni mediatik: pas disa orësh, portali që e publikoi lajmin u detyrua ta largojë atë dhe të kërkojë falje publike. Të njëjtën gjë e bënë edhe portalet e tjera të afërta me VLEN-in, ndërsa edhe eksponentë të këtij subjekti që e kishin shpërndarë lajmin, i fshinë publikimet e tyre.Ky zhvillim ngre pyetje serioze: kush i koordinon këto sulme, kush i furnizon portalet me informacione të pavërteta dhe kush merr përgjegjësi për dëmin që shkaktojnë shpifjet e tilla?

Në mungesë të rezultateve konkrete në qeverisje dhe përballë dështimeve të njëpasnjëshme, VLEN-i po e zhvendos betejën politike në terrenin e dezinformatave, shpifjeve dhe manipulimeve mediatike. Në vend të përgjegjësisë për premtimet e parealizuara, po ofron fushata diskreditimi ndaj kundërshtarëve politikë.

Fshirja e lajmit dhe kërkimfalja publike nuk e zhbëjnë dëmin e shkaktuar dhe as nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për shpifjet e publikuara dhe të shpërndara.

BDI nuk do të lejojë që shpifjet të shndërrohen në instrument të politikës ditore. Çdo tentativë për njollosjen e funksionarëve të saj përmes informacioneve të fabrikuara do të marrë përgjigje publike dhe, kur është e nevojshme, edhe përmes rrugëve ligjore.

VLEN-i duhet të kuptojë se propaganda nuk është rezultat dhe shpifja nuk është politikë. Fshirja e lajmit i nxorri zbuluar dhe dëshmoi edhe një herë se veprimi i tyre politik është mashtrim, shpifje dhe vetëm një zero!