Anton Quni: Djali im kreu shërbimin obligativ ushtarak kroat, për ne Kroacia s’është thjesht vend i huaj, por shtet mik

Deputeti i LDK’së, Anton Quni, sot në foltoren e Kuvendit ka folur për betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë të djalit të tij, Driton Quni.

Ai tha se njoftimi për këtë në rrjetet sociale u përball me linçime e shpifje, ndërsa tha se djali i tij, duke qenë edhe shtetas i Kroacisë, ka përfunduar shërbimin obligativ ushtarak.

“Ditë më parë, djali ynë, Dritoni, dha betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë. Si çdo familje që gëzohet për suksesin e fëmijës, e ndava këtë moment gëzimi me miqtë dhe qytetarët në rrjetet sociale. Për fat të keq ky gëzim prindëror u bë shënjestër e një fushate të ulët linçimi, dezinformimi dhe keqpërdorimi nga disa media dhe profile publike”.

Ai tha se vendosi që nga foltorja e Kuvendit t’i “përgjigjem publikisht çdo akuze të pabazë dhe manipulative”.

“U tha se kam keqpërdorur autoritetin tim politik si deputet për ta dërguar djalin në një ushtri të huaj. Dritoni ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë. Ai nuk është dërguar atje me ndonjë ndikim politik, privilegj apo proteksion, por për shkak të një fakti të thjeshtë: ai krahas shtetësisë së Kosovës, gëzon edhe atë të Kroacisë. Si çdo shtetas tjetër i atij vendi, ai iu përgjigj ftesës ligjore për shërbimin obligativ ushtarak, njësoj si qindra të rinj shqiptarë, që shërbejnë në ushtri të vendeve perëndimore e rajonale si në Zvicër, Austri e shtete tjera”.

Quni tha se edhe “një e pavërtetë tjetër” u tha lidhur me këtë çështje.

“Me taksa të qytetarëve të Kosovës. Gënjeshtër skandaloze. Asnjë cent i taksapaguesve të Kosovës nuk është shpenzuar për këtë çështje. Të gjitha shpenzimet e detyrimet mbulohen nga shteti kroat, sipas ligjeve të tyre”.

Quni gjithashtu shtoi se pati deklarata të tilë se “mosdërgimi i djalit në FSK dëshmon mungesë patriotizmi”.

“E vërteta, FSK jonë nuk funksionin mbi obligimin ushtarak. Rruga ime dhe e familjes sime është e vulosur me gjak e sakrificë”.

Ai tha se u krahasua edhe me rastet e tjera të politikanëve që familjet e tyre nuk jetojnë në Kosovë.

“Familja ime jeton nga viti 1999. Fëmijët tonë flasin e frymojnë shqip dhe janë edukuar me dashurinë për atdhe”.

Në fund, Quni tha se “Kroacia s’është thjesht një vend i huaj për ne”, por “është partneri ynë kryesor strategjik në Ballkan”.